
SPANJË- Policia spanjolle ka goditur mafien shqiptare me bazë në Katalonjë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 18 persona, 11 prej të cilëve konsiderohen “kokat” e organizatës kriminale që merrej me kultivimin dhe tregtimin e marijuanës. Por mediat spanjolle nuk i kanë bërë me dije emrat e asnjërit prej tyre. Sipas burimeve policore, rrjeti kishte ngritur 6 plantacione të fshehura në shtëpi të ndryshme në të gjithë Katalonjën.
Secila nga plantacionet kishte kapacitet për të rritur më shumë se 4000 bimë. Hetimi nisi kur agjentët mësuan për ekzistencën e një grupi hajdutësh të specializuar që kishin nisur grabitje me dhunë nëpër banesa. Ky grup tërhoqi vëmendjen e hetuesëve që shpejt zbuluan se përveç grabitjeve, grupi ishte "specializuar" edhe në trafikun e marijuanës. Në 26 qershor, agjentët kryen operacionin e parë në Castellbisbal dhe Barcelonë, ku u arrestuan 6 persona.
Në fund të qershorit u krye faza e dytë e operacionit dhe u zhvilluan kontrolle në 10 ambiente të ndryshme. Në total u sekuestruan 4000 bimë marijuanë, 80 kg hashash dhe 60 gramë MDMA. Po ashtu, grupit iu sekuestruan 13,000 euro./ZËRI