Aktualitet

Vrasje dhe atentate! Lidhjet e Laert Haxhiut deri në Amerikën Latine

Lidhjet e Haxhiut shkojnë deri në Amerikën Latine, persona të cilët kanë synuar shtrirjen në territoret e bandës së Aldo Bares.

f.t
Vrasje dhe atentate! Lidhjet e Laert Haxhiut deri në Amerikën Latine
Laert Haxhiu dhe Artan Tafani

TIRANË- Laert Haxhiu filloi hakmarrjen e tij ndaj bandës së Aldo Bares, kur ishte vetëm 18 vjeç në vitin 2010 dhe që prej asaj kohe ai u bë një nga 5 emrat më të kërkuar të krimit shqiptar. Por kush e mbështeti financiarisht Haxhiun në hapat e para të aktivitetit kriminal?

Lidhjet e Haxhiut shkojnë deri në Amerikën Latine, persona të cilët kanë synuar shtrirjen në territoret e bandës së Aldo Bares. Sipas informacioneve flitet për një person që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara. Por shumë ngjarje ndodhën pas 2010 dhe nuk dihet më nëse, Haxhiu merrte udhëzime nga të tjerë personazhe. Më tej një person që identifikohet në dosjen hetimore të siguruar nga "Inside Story", si rekrutues është shtetasi Klaudjo Taullau. Talluau ishte ai i cili, gjeti Artan Tafanin, sot i penduari i drejtësisë, një person që në 2019 kërkohej me ngulm nga njerëzit e Laert Haxhiut për t’u bërë pjesë e bandës. Lidhja mes Haxhiut dhe Tafanit filloi me një pazar të vogël prej 1000 euro.

"Klajdi Taullau, pasi më kishte thënë disa herë që më kërkonte Luli, më ka çuar tek një lokal në Tiranë. Aty ka ardhur Luli me Ligor Romacka, që ka pseudonimin Golja. Me këta të dy kemi shkuar në një lokal në Dajt. Aty ishte Laert Haxhiu që u prezantua si Erisiano Abedini që ka pseudonimin Cano dhe është nga Tepelena. Kemi darkuar të gjithë së bashku dhe Laerti më tha nëse doja të punoja për të dhe më dha 1000 euro që ti kisha para xhepi”, rrëfehu Artan Tafani, i penduari i drejtësisë.

Haxhiu ka pasur një përplasje të vazhdueshme me bandën e Aldo Bares, konflikt nga i cili numërohen dhjetëra të vrarë. Vetëm 6 janë zbardhur nga i penduari Artan Tafani. Nga 6 vrasje të rrëfyera nga Tafani, 2 kanë ndodhur në Greqi, ndërsa të tjerat janë të shpërndara në hartën e Shqipërisë: Elbasan, Tiranë, Tepelenë dhe në Lushnje. Një prej të eliminuarve nga banda ka qenë Alban Semaku, i cili njihej në qytetin e Lushnjes si "Kinezi i Aldo Bares". Ai u ekzekutua në Peqin, më 17 tetor të vitit 2021, duke rindezur edhe njëherë përplasjet në bandën e Lushnjes. Alban Semaku, gjithashtu i njohur me emrin tjetër Elton Mermali, vrau Bledar Haxhiun, i afërm i Laertit. 

Historia e bandës së Lushnjes

Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), deri atëherë efektiv i Forcave RENEA. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjes”. Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Aldo Bare hakmerret ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekuton i pret kokën dhe e shkelmon atë rrugëve të qytetit të Lushnjes./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB