Aktualitet

Atentat mafioz në Memaliaj, ekzekutohet në një lokal babai i 'Tiku Kalemit', kamarieri dhe një klient (EMRAT)

Një atentat ka ndodhur në minutat e para pasmesnatës së sotme. Vritet babai i Tiku Kalemit, i përfshirë në një sagë hakmarrjesh me nisje konfliktet për trafikun e drogës. Viktima, edhe 2 persona pa lidhje me konfliktet e familjes Kalemi

f.g
Atentat mafioz në Memaliaj, ekzekutohet në një lokal babai i
Andrea Kalemi

MEMALIAJ-GJIROKASTËR- Një vrasje e trefishtë ka ndodhur pas mesnate ku raportohet se është vrarë babai i Andrea Kalemit, i njohur edhe si Tiku Kalemi, Shyqyri Kalemi, një kamarier dhe një klient lokali. ZËRI ka mësuar se viktimat janë Shyqyri Kalemi, Marsel Çela dhe Gledio Muka, ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Kalemi që ndodhet në spital.

Dyshimet e para janë se objektiv i atentatit ka qenë Shyqo Kalemi, ndërsa dy viktimat e tjera janë kamarieri dhe një klient i lokalit, pa asnjë lidhje me konfliktet e familjes Kalemi. 

Shyqyri Kalemi është babai i Andrea (Tiku Kalemi). Në janar, një atentat iu bë edhe vëllait të Kalemit, Zamir Kalemi, ndërkohë viktimë më herët e përplasjeve ishte edhe nipi.

Policia e Gjirokastrës ka rrethuar zonën ku ka ndodhur krimi dhe pritet zbardhja e rrethanave dhe detajet se si u larguan autorët. Kjo është e disata ngjarje kriminale ku në shënjestër është Tiku Kalemi, pasi disa muaj më parë atij iu bë një tjetër atentat.

Njoftimi i policisë:

Memaliaj/Informacion paraprak.

Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., M. C., dhe G. M, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë. Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. /ZËRI

Poll

MOS HUMB