
SHKODËR- Është zbardhur dëshmia e personit që mbeti i plagosur pasditen e djeshme në lagjen Xhabije në Shkodër. Selami Brahimi, i cili mbeti i plagosur ka thënë në polici se nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë, dhe se qëllimi i autorëve ishte që ta qëllonin në kokë. Brahimi ka qenë me fat për shkak se ka lëvizur kokën në momentet e fundit, ndërsa sapo kishte lënë mbesën e tij në një pallat në afërsi ku ndodhi atentati.
“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, mësohet të ketë thënë i plagosuri.
Mësohet se Brahimi është qëlluar të paktën 10 herë me automatik, por vetëm një prej plumbave e ka prekur në pjesën e fytyrës. 60-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Automjeti me të cilin qëlluan autorët ende të paidentifikuar erdhi nga zona e Parrucës në drejtim të Xhabiej dhe pasi qëlluan me armë zjarri u larguan në drejtim të daljes së Shkodrës ndërsa policia po gjurmon lëvizjet e automjetit që nuk është gjetur ende.
Disa persona janë shoqëruar nga policia, si persona që mund të kenë dijeni. Kontrollet janë zhvilluar në një banesë në fshatin Kuç të njësisë Gur i Zi por nuk ka qenë askush brenda por edhe në disa zona të tjera ku policia mund të ketë informacione. Selami Brahimi është pronar i një picerie në lagjen “Xhabiej” ku ndodhi plagosja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje./ZËRI