
SHKODËR- ZËRI ka siguruar foton e Selami Brahimit, i cili mbeti i plagosur pasditen e djeshme në lagjen “Xhabiej” në Shkodër. Gjatë të shtënave me kallashnikov ai ndodhej brenda në automjet, ndërkohë që fatmitësisht plumbat nuk e kanë prekur në organet jetike. Ai mbeti i plagosur gjatë atentatit, ndërkohë që burime nga spitali bëjnë me dije se Brahimi ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Aurori i kësaj ngjarjeje mbetet ende i paidentifikuar, ndërkohë që ka arritur që të largohet nga zona, pavarësisht pikave të kontrollit që ngriti policia e Shkodrës, me qëllim kapjen e tij.
Drejtori i policisë vendore të Shkodrës, Edmond Sulaj tha në një deklaratë mbrëmjen e djeshme se po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe se po bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë dhe po pyetën dëshmitarët dhe vetë i plagosuri.
“Në orën 17:50 këtu në lagjen “Xhabiej” është qëlluar me armë zjarri shtetasi Selami Brahimi i cili është plagosur lehtë dhe është duke marrë mjekim në spitalin e Shkodrës. Është formuar grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Janë duke u marrë kamerat e sigurisë si dhe po pyeten dëshmitarët okular që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë do të intervistohet i dëmtuari. Sa i përket shkaqeve po punohet nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave. Jemi duke punuar intensivisht për ta zbardhur dhe sigurojmë qytetarët se policia vendore e Shkodrës ka të gjitha kapacitetet për të zbardhur ngjarje të tilla”, u shpreh drejtori Sulaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:50, në një moment që në zonë kishte qytetarë të shumtë, që mund të kishin mbetur të lënduar nga ky atentat. Personi që mbeti i plagosur nuk rezulton që të ketë precedentë të mëparshëm penalë./ZËRI