Aktualitet

2023/ Shqipëria nën "THUNDRËN" e KRIMIT

ZËRI ju sjell një përmbledhje të ngjarjeve kriminale që ndodhën këtë vit, duke lënë pas viktima e të plagosur. Në shumë raste, 'shënjestrat' kanë shpëtuar...

Florida Mingla
2023/ Shqipëria nën "THUNDRËN" e KRIMIT
Viktimat

TIRANË- Numri tre po ia lë vendin katrës, por me 12 muaj të mbushura me ngjarje të shumta kriminale. Me larje hesapesh. Dosje të zbardhura e të pazbardhura si dhe zinxhirë gjakmarrjesh të mbartura prej shumë vitesh. Në total janë regjistruar 30 ngjarje që kanë lënë pas 31 viktima. Nëntë prej tyre janë gra, të cilat këtë fundvit nuk do të ulen në tryezë pranë fëmijëve e familjeve të tyre. Jetën ua morën burrat dhe plumbat që kishin të tjera shënjestra!

Xhevit Sinani vret gruan dhe të vëllanë- 27 janar 2023

Krimi i parë mori pikërisht jetën e një gruaje. Ende pa futur mirë këmbët viti 2023, Xhevit Sinani, 75-vjeç vrau gruan dhe vëllanë e tij, një ngjarje që tronditi fshatin Tërvol të Gramshit. Fillimisht ai qëlloi të shoqen, Zegjine Sinani në banesën e tij me sëpatë dhe më pas ndoqi të vëllanë, Shaqir Sinani, të cilin e masakroi me të njëjtën armë të ftohtë në vreshtat e rrushit. Dëshmitë e autorit ishin kontradiktore, por pista kryesore e hetimit ishte xhelozia.

Shefki Bylykbashi vrau të birin, Hamdi Bylykbashi – 17 shkurt 2023

Edhe në muajin shkurt, krimi goditi familjen! Një përleshje mes babë e bir përfundoi me një viktimë. Shefki Bylykbashi, 77 vjeç vrau me çekiç të birin, Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç. Teksa mbante fytyrën e mbuluar me duar, 77-vjeçari rrëfeu në gjyq se i biri kishte shkuar i dehur në shtëpi dhe se kishte tentuar ta hidhte në pus. Për tu vetëmbrojtur, e ka qëlluar me çekiç në kokë dhe e ka lënë të vdekur.

Masakra e Dan Hutrës- 1 mars 2023

Muaji mars që sjell pranverën, solli tragjedinë në familjen Hysa e Kurti. Dan Hutra ekzekutoi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera. Me kallash në dorë, Hutra u paraqit në familjen e ish-gruas dhe vrau motrën e saj, Mevlute Hysa e Hasime Dafkun, kunata e ish-gruas që ishte dy muajshe shtatzënë. Të plagosura nga të shtënat mbetën Elena Hysa, ish-gruaja dhe Kujtime Hysa, e ëma e saj. Më pas, Hutra me të njëjtën armë u drejtua për në familjen Kurti, ku vrau Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit, me të cilin ai kishte patur probleme në burg. Sipas Hutrës Valdimir Kurti kishte tentuar ta helmonte në burg. Nuk u ndal me kaq! Hutra plagosi dhe Marjana Gurakuqin, ish-të dashurën e tij. Ai u prangos në Kodrat e Sharrës ku po priste të vriste Rrahman Selën, të cilin e akuzonte për vdekjen e të atit.

Masakra në lokalin e Fatjon Muratit- 12 mars 2023

Kjo ishte ngjarja që zgjoi grupet kriminale për vitin 2023. Pasditen e 12 marsit, persona të dyshuar si të grupet të Ervis Martinajt u afruan pranë lokalit të Fatjon Muratit në "Don Bosko" dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi. Viktimë mbeti Mimoza Paja, ndërsa u plagosën: Shehat Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Memaj, Emanuel Sala, Ermir Dejucku dhe Genc Shohalli. Si pasojë e masakrës, u dëmtua nga ciflat e xhamit edhe një 10-vjeçare, mbesa e viktimës Paja, e cila dëshmoi të gjithë masakrën. Fatjon Murati, dikur një boksier me një të ardhme të ndritur, që aspironte të ishte kampion bote në peshat e boksit profesionist ishte kthyer në një shënjestër të grupeve kriminale. Ai ishte larguar nga Shqipëria pak ditë para atentatit, dhe pse ishte nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, pasi gjurma e gishtit iu gjet në një arsenal armësh. Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, një prej tyre Brilant Martinaj. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle. Kjo masakër ka mbetur pa autor. I vetmi që është pas hekurave për këtë ngjarje, është Nikoll Sherrniku, i cili është arrestuar për vrasjen e efektivit Xhuljo Prela. Ai akuzohet se ka qenë personi që ka siguruar targat e mjetit me të cilin lëvizën autorët.

Sulmi ndaj Top Channel- 27 mars 2023

Ndërkohë që spektakli i “Big Brother VIP” nuk kishte mbaruar akoma, kur një automjet mbajti gazin dhe një prej personave që ndodhej brenda tij qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të godinës së televizionit kombëtar. I vdekur në vend mbeti roja i objektit, Pal Kola, 60 vjeç, i cili në ato çaste po ngrohej me një reflektor që mbante brenda kabinës. Por për kë ishin plumbat? Pronarët e Top Channel kanë deklaruar publikisht se nuk kanë asnjë konflikt me njeri dhe gjithçka e lidhin me fjalën e lirë. Gazetari Artan Hoxha deklaroi më vonë se autori është vënë në në pranga në muajin gusht në qytetin e Vlorës, ku ishte nisur të kryente një tjetër atentat. Megjithatë, zyrtarisht edhe kjo ngjarje, nuk ka autor…

Sali Rexha dhe Armand Gosa- 29 mars 2023

Plumbat u spostuan në Kavajë. Altin alias Sali Rexha dhe Armand Gosa mbetën të vrarë më 29 mars, pas një përplasjeje me njëri-tjetrin. Dëshmitare e ngjarjes u bë dhe vajza e Rexhës. Konflikti kishte nisur për shkaqe banale, pasi Gosa e kishte thirrur Rexhën me termin ‘malok’, referuar origjinës së tij nga Kukësi. Rexha qëlloi i pari drejt Gosës me 4 plumba, ndërsa ai iu kundërpërgjigj me thikë. Të dy mbetën të vdekur në vend, por gjaku s’u la me kaq…

Roland dhe Migena Sinani- 8 prill 2023

Migena Sinani, 37 vjeçe u vra me një plumb në gjoks në gjumë nga kunati i saj, Roland Sinani, për të cilin edhe kujdesej pasi ai vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ajo u vra në sy të djalit 2-vjeçar me të cilin po flinte gjumë, ndërsa fëmija tjetër po flinte në dhomën e gjyshërve. Roland Sinani vrau dhe veten në oborrin e banesës pas krimit të rëndë. Prindërit e autorit, Igbale dhe Gëzim Sinani ishin në banesë kur ndodhi ngjarja, por dhanë dëshmi kontradiktore. Madje, babai i Rolandit ka tentuar që ta marrë përsipër ngjarjen. Bashkëshorti i Migenës ishte në punë kur ndodhi vrasja.

Stiven Toshkëzi- 18 prill 2023

Një sherr mes të rinjve u kthye në një krim! Stiven Toshkëzi, vetëm 20 vjeç, u qëllua për vdekje me thikë në Rrugën ‘4 Dëshmorët’ në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”, nga Aksel Hoxhaj, në bashkëpunim me Ensi Mazen. Viktima po kthehej nga puna bashkë me një shokun e tij, ndërsa atentatorët i kishin ngritur pritë. Goditja që 20-vjeçari mori nga Hoxhaj, rezultoi fatale pasi ai humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Arbër Murataj, djali i grabitësit Admir Muratajt, që mbeti i vrarë në Rinas, u vu në pranga më vonë. Ai ishte konfliktuar me Toshkëzin dhe e kishte kërcënuar me thikë, 2 javë para vrasjes së tij. Shkak për sherrin ishte se Murataj ngacmonte të dashurën e Toshkëzit.

Ardian Nikulaj- 19 prill 2023

Saga e gjakmarrjes mes fiseve Lekstakaj e Nikulaj u rindez në Lezhë, më 19 prill. Ardian Nikulaj u vra në lokalin e tij në Shëngjin, teksa pinte kafenë si gjithmonë. Ekzekutori ishte Ruben Saraiva, një portugez që tashmë pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë, ndërsa urdhëri kishte dalë nga fisi Lekstakaj. Bashkëpunëtorët ishin të shumtë, një prej tyre dhe Edmond Haxhia, djali i dajës së Elton Lekstakajt. Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997 për shkak të një sherri për 10 mijë lekë të vjetra që nuk u paguan në një karburant. Përgjatë viteve 1997 deri 1999 janë kryer disa vrasje dhe plagosje mes palëve, ndërsa Nikulaj i cili nuk u mor kurrë në pyetje për këto raste, u vra mbi 20 vite më vonë.

Petrit Vuksani- 2 maj 2023

Petrit Vuksani kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Anglia, por gjeti vdekjen në banesën e tij. Lekë Vuksani, i afërmi i tij, e qëlloi për vdekje me automatik pas një sherri për qiranë e shtëpisë që e kishte lënë të jetonte.

Alma Qevani- 17 maj 2023

Alma Qevani, 44 vjeçe u vra me sopatë nga kunati i saj, bashkëshorti i motrës, Tefik Tashi, 58-vjeç. Ngjarja ndodhi më 17 maj në fshatin Kusarth të Elbasanit. Tashi shkoi në arën ku kullosnin delet dhe pasi e ka rrahur me shpulla e grushta, më në fund ka nxjerrë sopatën dhe e ka qëlluar dy herë, në kokë dhe qafë. Tashi vetë, ka deklaruar se e ka vrarë Almën pa pendesë sepse ajo e ofendonte dhe atë ditë nuk i kishte gatuar as drekën.

Arjan Gosa- 21 maj 2023

Gjaku i Sali (Altin) Rexhës u la me vrasjen e Arjan Gosës! Konflikti u rindez në Kavajë, në mometin që Arjan Gosa po konsumonte një kafe me babanë e tij Osman Gosa. Vëllai i Sali (Altin) Rexhës, 31-vjeçari Habib Rexha, shkoi dhe qëlloi me armë zjarri të riun duke sjellë humbjen e dytë në familjen Gosa. Fotoja mjaft prekëse teksa Osman Gosa mbante dorën e të birit të vdekur, qarkulloi në të gjithë rrjetin. Ai nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e një konflikti që nisi nga fjala ‘malok’.

Gjokë Gurra dhe djali i tij Eduart Gurra- 29 qershor 2023

Gjokë dhe Eduard Gurra, babë e bir, u vranë në Bruçaj të Dukagjinit, disa metra para se të mbërrinin në ambientet e shtëpisë së tyre që ishte djegur një natë para se ata të vriteshin. 57-vjeçari Gjokë Gurra në vitin 2008 ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj. Vrasja ndodhi disa ditë pasi Policia e Shtetit kishte zhvilluar një operacion për të shkatërruar një parcelë kanabisi në këtë zonë dhe mendohet se autori ka qenë pikërisht pronari i kësaj pasrcele, i cili dyshonte se Gurra e kishte denoncuar.

Marjola Myrtollari- 1 korrik 2023

Marjola Myrtollari u godit me thikë nga bashkëshorti i saj dhe ndërroi jetë në spital. Ngjarja ndodhi në Korçë. Aleko Myrtollari u vetëdorëzua në polici dy ditë pas ngjarjes dhe deklaroi para gjykatës se e qëlloi bashkëshorten e tij për shkak të xhelozisë.

Ramazan Sino dhe Gentjan Bejtja- 4 korrik 2023

Ramazan Sino mbeti i vrarë në një atentat që për shënjestër kishte ish-efektivin Gentian Bejtja, i cili mbeti i plagosur bashkë me dy fëmijët e tij, 13 dhe 8 vjeç. Ngjarja ndodhi më 4 korrik. Për këtë ngjarje u arrestua Valter Bami, i cili nuk e ka pranuar autorësinë. Bejtja ishte njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ky të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën 8 shkurtit 2015. I njohur si mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 42-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës. Në 9 janar të vitit 2022, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, ndërsa në shtator të vitit 2016, i shpëtoi një tjetër atentati me tritol. Bejtja është përmendur si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013. Por me vendim gjykate Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm. Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për vrasjen e Ilias Çalit e atentatin ndaj Marklen Hakës.

Dhuna makabre- 7 korrik 2023

Fisi Rraja u bë kryefjalë në mesin e sezonit turistik, ngjarje që pasoi me largimin e ish-deputetit Rrahman Rraja nga politika. Socialisti nuk e kishte dorëzuar mandatin as kur nipat e djali, një e nga një, ishin shpallur në kërkim nga Policia e Shteti për vrasje, dhunë e trafik droge, në pikun e verës, por u tërhoq me argumentin se ndihej i turpëruar si prind. Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Ineid Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku, dhe Andi Rraja u armatosën me shkopa besjbolli dhe armë zjarri dhe dhunuan dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja. Pamjet makabre u publikuan në të gjitha mediat. Shkak për sherrin ishin bërë ankesat e fisit Maja për guroret e Rrajave që u kishin dëmtuar shtëpitë, ankesa të cilat kishin rënë në vesh të shurdhër. Kjo ngjarje 'shkriu' të gjithë Policinë e Krujës.

Nikolin Lekstakaj- 19 korrik 2023

Hakmarrja vazhdon. Tre muaj pas ekzekutimit të Ardian Nikujat, në të njëjtën datë, 19, u vra Nikolin Lekstakaj. 42-vjeçari u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga ambientet e një marketi në aksin Lezhë-Shkodër. Viktima, baba i një vajze, u qëllua me breshëri plumbash nga një mjet me xhama të zinj në lëvizje dhe mbeti i vdekur në vend. Pista kryesore ishte hakmarrja dhe pse askush nuk u arrestua.

Luiza Mullalli dhe Gjergji Mullalli- 29 korrik 2023

46-vjeçarja Luiza Mullalli u vra nga bashkëshorti i saj Gjergji Mullalli, i cili dhe trupin ia hodhi në një kanal. Dyshja ishin në proces divorci pasi Gjergji e dhunonte dhe madje kishte tentuar dhe njëherë tjetër që ta mbyste. Gjergji Mullalli u vetëvra dy ditë pas krimit të rëndë, pasi qëlloi dy herë me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë që kishin shkuar ta arrestonin.

Valter Fierza- 21 shtator 2023

33-vjeçarit Valter Fierza u vra nga fqinji Klodian Mhilli 24 vjeç pas një debati në një lokal ku priste dhe të festonte ditëlindjen. Debati nisi lidhur me parkimin. Mhilli pretendonte se Fierza i kishte bllokuar rrugën. Pas një ore debat, 24-vjeçari mori armën dhe e qëlloi pesë herë me kallashnikov.

Martin Bardhi- 26 shtator 2023

Martin Marku alias Martin Bardhi, 59 vjeç u vra paraditen e 26 shtatorit 2023 në Rrëshen. Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Martin Bardhi ishte një person me precedentë penalë. Më 26 Mars të këtij viti, ai ishte konfliktuar me nipin e Kastriot Reçit, Saimirin. Vetëm një muaj para se të vritej, ai kishte lënë qelinë.

Fatjon Dervishi- 27 shtator 2023

Fatjon alias Toni Dervishi, 38 vjeç, u qëllua me dy plumba, kur po udhëtonte në një makinë tip “Audi” në Katund të Sukthit. Dervishi ishte baba i dy fëmijëve. Vitet e fundit jetonte mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku bashkëjetonte me një shtetase rumune. Pistat e hetimit ishin dy, ajo e hakmarrjes dhe prishja e pazareve të drogës. Hakmarrja pasi vëllai i 38-vjeçarit, Fatbardh Dervishi, i cili më parë ka mbajtur edhe mbiemrin Doda, ka plagosur një vajzë në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa prishja e pazareve të drogës pasi viktima ishte hetuar për trafik droge në Holandë.

Zef Guri dhe Gjin Guri- 27 shtator 2023

Zef Guri 73 vjeç mbeti i vrarë, ndërsa djali i tij, Gjin Guri 43 vjeç, u plagos rëndë pasi u qëlluan me armë zjarri mbrëmjen e 27 shtatorit në Dukagjin të Shkodrës. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Gjin Guri, pasi ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë, ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij u vendos tritol.

Entjan Nikulaj, nipi i Ardian Nikulaj- 2 dhjetor 2023

Hakmarrja nuk ndalet. Entjan (Eno) Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt që u vra në prill, u ekzekutua në dalje të qytetit të Lezhës teksa udhëtonte me makinën e tij. Autorët u larguan me një mjet tip BMË  ngjyrë gri e cila rezulton të ketë qenë me targa të vjedhura në Tiranë dhe u gjet mes flakëve në Rinas, pak minuta pas vrasje. Pista e hetimit sërish është hakmarrja, por deri më tani s’ka asnjë të arrestuar.

Elton Javori- 7 dhjetor 2023

Elton Javori, 41 vjeç, u ekzekutua pak metra larg banesës së tij, në qytetin e Fierit. ZËRI publikoi ekskluzivisht momentet e vrasjes së Javorit. Agim Gashi ishte pasagjer në makinën tip Benz dhe qëlloi me armë zjarri në drejtim të fouristradës tip “Porsche Cayenne”, e cila drejtohej nga Javori. Gashi është në kërkim bashkë me të vëllanë. Shkak për vrasjen mendohet se është bërë një konflikt që të rinjtë kanë pasur në Gjermani.

Andrea Kalemi- 15 dhjetor 2023 dhe 9 gusht 2023

Adriatik Kalemi, daja i Aleksandër Sadikajt që u vra në Tiranë i ka shpëtuar dy herë vdekjes këtë vit. Andrea (Adriatik) Kalemi u qëllua me 10 plumba më 9 gusht të verës që lamë pas teksa ndodhej me pushime me familjen e tij në ishullin Paxos. Pasi u kurua, ai u dërgua në burgun grek pasi kishte dosje të pambyllura me drejtësinë greke. Por, edhe aty e përndoqën! Më 15 dhjetor u qëllua nga një 28-vjeçar egjiptian, në momentin që po mblidhte gjërat personale për të lënë qelinë. Sërish mbijetoi. Urdhërues të të dy sulmeve dyshohet se janë të afërm të biznesmenit Edmond Papa nga Saranda, i cili u vra në Tiranë. Kjo ngjarje erdhi si hakmarrje pas vrasjes së nipit të Kalemit, Aleksandër Sadikajt, i cili u vra në mënyrë makabre pasi iu vendos një sasi e madhe tritoli në mjet.

Arben Lleshi- 15 dhjetor 2023

Ky vit është mbyllur me një vrasje në burg, ngjarje që rrëzoi dhe të gjitha filtrat në sistemin e burgjeve. Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Vrasja e Arben Lleshit solli një valë arrestimesh në burgun e Peqinit, mes të cilëve dhe drejtorin./ZËRI

Poll

MOS HUMB