GREQI- Autori i vrasjes së Jani Aliajt në burgu i Korydallos në Greqi, ka dëshmuar para autoriteteve duke pohuar se e ka kryer krimin, me pretendimin se do të vritej nga i burgosuri shqiptar. Sipas 28-vjeçarit grek, Aliaj ishte paguar për eleminimin e tij, si hakmarrje për një vrasje të ndodhur disa muaj më parë në zonën e Agios Panteleimonas. Ndëkrohë që sipas autoriteteve, as viktima dhe as autori i dyshuar nuk kishin raportuar më herët konflikte apo frikë për jetën e tyre.
“Nëse nuk do e vrisja unë, do të më vriste ai”, mësohet të ketë thënë autori 28-vjeçar.
Siç u raportua dhe më herët, bazuar dhe në dosjen hetimore gjarja ndodhi në një sektor të burgut ku nuk ka kamera sigurie. Sipas ekspertiza mjeko-ligjore, Jani Aliaj ka marrë 23 goditje me thikë, kryesisht në fytyrë dhe kraharor, plagë që kanë tronditur edhe vetë ekspertët.
Sa i përket autorit, 28-vjeçari grek rezulton me precedentë të rëndë penalë dhe është i akuzuar edhe për dy vrasje të tjera. Prej nëntë vitesh, emri i tij ndodhej në listën e kuqe të Interpolit për një vrasje të kryer në Greqi. Pas dhënies së dëshmisë, ai është rikthyer në qeli dhe pritet të përballet me gjykimin, duke rrezikuar burgim të përjetshëm.
Jani Aliaj u ekzekutua me thikë brenda burgut Korydallos në Greqi më 19 janar, por informacionet mbi planin për ta vrarë Aliajn ishin të hershme për policinë greke. Sipas mediave greke, Aliaj ishte transferuar më parë në burgun e grave për arsye mbrojtjeje, duke pasur parasysh ekzistencën e një atentati kundër tij. Raportohet se dy muaj më parë Aliaj kishte marrë sulmin e parë ndaj tij në burg dhe kishte shpëtuar, por pavarësisht qartësisë për rrezikun ndaj jetës së tij, nuk u morën masa mbrojtëse. Aliaj kishte fituar gjithashtu edhe ‘status mbrojtje’, ndërsa në qeli qëndronte i izoluar me një ish-oficer policie i dënuar për trafik droge. 49-vjeçari nga Tepelena ishte arrestuar në Greqi më 31 dhjetor 2024. Ai ishte dënuar me burg të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços në Tiranë në 2016, një ngjarje që lidhej me hakmarrje./ZËRI