TIRANË- Gjyqtarja Irena Gjoka i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një letër shpejguese, ku sqaron arsyet pse nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një vendim gjyqësor grek, për falsifikim vize. Gjoka pretendon se vendimi i dënimit i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë, nuk i është njoftuar asnjëherë dhe nuk ka marrë formë të prerë.
Sakaq, sipas gjyqtares Gjoka, vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë.
Letra e plotë:
Çmoj të theksoj se, në të gjithë përmbajtjen e vendimit të Gjykatës së Janinës të dhënë ndaj meje, nuk përmendet në asnjë moment përcaktimi i shkeljes së pretenduar si të kryer nga unë, e natyrës “penale”, por ajo cilësohet në të gjitha rastet si një “vepër”, “shkelje” e cila parashikohet nga paragrafi 7 i nenit 54 të Ligjit nr. 2910/2001 me titull “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek” dhe jo nga Kodi Penal.
Si konkluzion, në mungesë të dijenisë, nuk mund t’i përgjigjesha me “po” pyetjeve në formular që kanë të bëjnë me hetimin, gjykimin apo dënimin nga Gjykata e Janinës.
Në rastin konkret vendimi i dënimit nuk është i formës së prerë dhe si rrjedhojë ai nuk ka asnjë vlerë juridike në Territorin e Republikës së Shqipërisë.
Nuk kam asnjë ndalesë që të ushtroj funksione publike në bazë të ligjit për dekriminalizimin dhe kam plotësuar saktë formularin e dekriminalizimit bazuar në njohuritë që kisha në momentin e plotësimit të këtij formulari.
Vendimi i dënimit i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë, nuk më është njoftuar asnjëherë dhe nuk ka marrë formë të prerë, jo vetëm për shkak të mosnjoftimit por edhe për shkak të miratimit në vitin 2005 të Ligjit nr.3346, datë 17.6.2005, i cili shfuqizonte vendimet jo të formës së prerë dhe linte pa fuqi të gjitha vendimet e dënimit me më pak se gjashtë muaj burgim. Autoritetet greke të drejtësisë, nëpërmjet letërporosisë, siç u theksua më sipër kanë dërguar shkresën me nr.363 Prot, datë 13.06.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, Zyra e Hetuesit, nga përmbajtja e së cilës rezulton se: Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Pare me Tre Anëtarë për kundravajtjet, Janinë, nuk u ekzekutua sipas aktit të prokurorit me nr.492/2005 dhe vendimi u depozitua në arkivë në përputhje me nenin 32, parg.1 dhe 2 të Ligjit nr.3346/2005. Për këtë arsye, ky vendim nuk është regjistruar asnjëherë në regjistrin e gjendjes gjyqësore për shkak se ai nuk mori formë të prerë dhe u arkivua nga prokurori.
Si konkluzion, vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit tim si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë. Në kushtet e analizuara më sipër, ky vendim konsiderohet si i paqenë.
Nga analiza e sipërcituar, rezulton qartë se ILD nuk mund të fillojë procedim disiplinor ndaj meje, në funksionin e gjyqtares, sepse nuk provohet se kam kryer një vepër penale, vendimi i dënimit nuk sjell asnjë pasojë juridike. Përtej diskutimit të sipërcituar, ILD-se nuk i lejohet të fillojë një procedim disiplinor pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar.
Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria ka miratuar rezultatet e procesit të verifikimit dhe ka përcjellë vendimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Verifikimi i vetëdeklarimeve të Irena Gjokës, u zhvillua mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek. Sakaq, Prokuroria i ka kërkuar KLGJ-së që të vlerësojnë nëse “është apo jo në kushtet e ndalimit për të marrë posti ne gjyqtares sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit”. /ZËRI

