Aktualitet

37 ditë në shesh! Nis tubimi në sheshin "Skënderbej", pritet marshimi drejt Kryeministrisë

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në javët në vijim, derisa, sipas tyre, të realizohet ky objektiv.

zh.ll
37 ditë në shesh! Nis tubimi në sheshin
protesta

TIRANË- Ka nisur protesta e 37-të kundër kryeministrit Edi Rama. Qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin "Skënderbej", për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohet tubimi.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në javët në vijim, derisa, sipas tyre, të realizohet ky objektiv. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, si edhe shqiptarëve të diasporës, t'i bashkohen protestës dhe të mbështesin kauzën e tyre.

Kjo protestë vjen vetëm dy ditë pas tubimit kombëtar të zhvilluar më 4 korrik, ku morën pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Ishte hera e dytë që diaspora u organizua në Tiranë në mbështetje të kësaj lëvizjeje.

Më herët, më 20 qershor, qindra shqiptarë të diasporës u mblodhën në kryeqytet, duke përcjellë mesazhe për vazhdimin e protestave dhe duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB