Aktualitet

Denoncimi i Vokshit/ 4 të vdekur se ikën dritat? QSUT: Nuk është e vërtetë, s'ka viktima

QSUT sqaron se situata është zgjidhur menjëherë dhe nuk ka pasur asnjë humbje jete të pacientëve që janë intubuar.

k.m.
Denoncimi i Vokshit/ 4 të vdekur se ikën dritat? QSUT: Nuk
Foto ilustruese

TIRANË- Një deklaratë e bërë nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka shkaktuar reagimin e menjëherëshëm të QSUT. Në fjalën e saj, në Komisionin për Shëndetësinë, deputetja Vokshi tha se një qytetar e kishte informuar se të premten në QSUT, në orët e para të mëngjesit kanë ikur dritat për dy orë dhe për pasojë kanë ndërruar jetë 4 pacientë.

"Ngjarje e rëndë në QSUT. Sipas këtij informacioni një punonjës që punon në QSUT kanë ikur dritat për më shumë se dy orë. Sipas këtij punonjësi ka pasur 4 të sëmurë që kanë humbur jetën, gjatë periudhës që kanë ikur dritat, pasi kanë qenë të intubuar, nuk ka funksionuar linja backup. Nëse ky informacion është i vërtetë do të ishte një skandal shumë i madh. Një spital si QSUT a mund të rri pa drita. A është e vërtetë që të premten në mëngjes duke u gdhirë kanë ikur dritat,"- tha Vokshi. Menjëherë pasi përfundoi fjalinë, ndërhyri kolegu i saj Tritan Shehu, i cili pranoi se ka pasur shkëputje të energjisë, por shtoi se nuk ka pasur dëme në njerëz. Megjithatë deklaratën e saj, Vokshi tha se e kishte nga një punonjës i QSUT-së, i cili i kishte konfirmuar edhe numrin e viktimave.

Ishte QSUT, institucioni që hodhi poshtë denoncimin e Vokshit. QSUT sqaroi se më datë 5 prill ka patur luhatje të energjisë elektrike, nuk ka asgjë të vërtetë për humbje jete të pacientëve. Po ashtu edhe deputeti i Rithemelimit Tritan Shehu tha se nuk ka pasur dëme në njerëz. Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka hedhur poshtë pretendimet e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi se në spital kanë ndërruar jetë 4 pacientë për shkak se ikën dritat.

Në një deklaratë zyrtare, të shfaqur në faqen e tyre zyrtare, QSUT pohon se ka pasur një luhatje të energjisë elektrike, ngjarje e cila ka ndodhur të premten, rreth orës 1.30 të mëngjesit. Megjithatë, sqarojnë se situata është zgjidhur menjëherë dhe nuk ka pasur asnjë humbje jete të pacientëve që janë intubuar në ambientet e QSUT. 

"QSNUT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon: Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës. QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment,"-shkruhet në deklaratën zyrtare./ZËRI

Poll

MOS HUMB