TIRANË- Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme janë evidentuar në total 7 vatra zjarri.
Situata më e problematike raportohet në zonën e Tërbun-Gojanit në Pukë, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e banesave. Deri në këto momente, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Zjarre aktive janë evidentuar edhe në Dajt dhe Priskë të Tiranës, në Lufaj të Mirditës dhe në Shashicë të Selenicës. Në Dajt operacioni po vijon me forca të Forcave të Armatosura, MZSH-së dhe AZM-së, ndërsa në Priskë vijojnë të jenë të angazhuara strukturat zjarrfikëse.
Në Lufaj, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe po mbahet nën kontroll nga Shërbimi Pyjor dhe MZSH, pa rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona vijon të monitorohet. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar dhe operacionet vijojnë me forcat lokale.
Në të gjithë territorin janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë punën e koordinuar në të gjitha zonat, me fokus mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe izolimin e plotë të vatrave aktive.
Njoftim:
Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve
(19 Gusht 2026 - ora 20:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, janë evidentuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë, Tiranë, Lufaj, Mirditë, Tërbun–Gojan, Pukë dhe Shashicë, Selenicë.
Në Dajt vijon operacioni me 50 efektivë të FA, 15 forca të MZSH dhe 5 forca të AZM, ndërsa në Priskë vijojnë të jenë të pranishme forcat e MZSH. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët, me angazhimin e Shërbimit Pyjor dhe MZSH, pa rrezik për banesat.
Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat operacionale vijojnë punën në terren dhe MZSH është përqendruar në mbrojtjen e banesave. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona mbahet nën monitorim, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe vijojnë operacionet me forcat lokale.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin e koordinuar në të gjitha vatrat, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave dhe izolimin e plotë të zjarreve aktive./ZËRI