Aktualitet

5 vite zvarritje e borxhe! Si drejtësia mban peng dosjen e ‘sudes’ së Fondit BESA, detyrimet e qytetarëve shtohen çdo ditë

Fillimisht dosja ka qenë në duart e gjyqtares Rexhina Merlika, e cila është larguar me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Tani ka kaluar në duart e gjyqtarit Edvan Vecani dhe procesi ende nuk ka përfunduar.

F.m
5 vite zvarritje e borxhe! Si drejtësia mban peng dosjen e
Banorët e Nishtullës

TIRANË- Kanë kaluar pesë vite nga skandali me të ashtuquajtën si ‘sudja’ e Fondit BESA, Albana Imami, drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e saj. ZËRI nisi një kërkesë për informacion në momentin që mori dhjetëra denoncime nga banorët e zonës së Nishtullës, të cilët sot janë thuajse të gjithë debitorë pranë Fondacionit BESA me të paktën 6 milion lekë.

Mirëpo, në përgjigjen zyrtare, Gjykata e Tiranës na vuri në dijeni se nuk ka ende një vendim të formës së prerë mbi këtë çështje.

Çështja ka nisur në vitin 2019 dhe është ende në gjykim. Fillimisht dosja ka qenë në duart e gjyqtares Rexhina Merlika, e cila është larguar me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Tani ka kaluar në duart e gjyqtarit Edvan Vecani dhe procesi ende nuk ka përfunduar, duke zvarritur më tej në borxhe viktimat e skemës së mikrokredive, pasi detyrimet e tyre shtohen çdo ditë që kalon.

Çështja e banorëve të Nishtullës:

ZËRI publikoi rrëfimet e banorëve të zonës së Nishtullës të cilët vijojnë ende të vuajnë pasojat e skemës së mashtrimit të të ashtuquajturës “Sudja” e Fondit Besa, Albana Imami. Të gjitha viktimat e kësaj skeme që u nisën të merrnin 300-400 mijë lekë të vjetra për bamirësi përfunduan kreditorë tek Fondi Besa me të paktën 6 milionë lekë të vjetra secili. Por edhe pse vitet kanë kaluar dhe autorët janë ndëshkuar, qytetarët e kësaj zone janë ende debitorë dhe nuk mund të rifinancohen nga asnjë bankë. Kushti për rifinancim është shlyerja e gjithë kredisë bashkë me kamatëvonesave që shkon deri në vlerë 10 apo 12 milionë lekë të vjetra.

ZËRI nuk u ndal me kaq, por shkoi dhe pranë institucionit financiar Fondi BESA. CEO i Fondit BESA, Bajram Muça u shpreh se nuk ka ndërmend të falë dhe të zerojë borxhet e asnjë kredimarrësi që është përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Muça pranon se ka pasur një mashtrim ku janë përfshirë punonjës të këtij institucioni, që siç thotë ai, nuk është i kulluar dhe se ku është paraja mund të ketë abuzime. CEO i Fondit BESA shton se ka qenë vetë ai që e ka denoncuar drejtoresha Imamin, por që deri më tani nuk ka marrë një letër nga gjykata se cilët kanë qenë personat që janë mashtruar. Madje, madje, thekson se është treguar tolerant, duke u ofruar qytetarëve të Nishtullës që të paguajnë shumë më pak se shuma që rezultojnë se kanë aplikuar.

Historia e skemës mashtruese:

Mbi 800 qytetarë ranë pre e skemës mashtruese me kreditë, që u zbuluan nga Policia duke vënë në pranga 7 punonjës të fondacionit BESA në Tiranë, mes tyre dhe drejtoresha e Fondit BESA, Albana Imami që kanë marrë mbi 4 miliardë lekë.

Të arrestuarit, vetëm me anë të kartës së identitetit bënin që qytetarë të ndryshëm të aplikonin për kredi për shuma të mëdha, ua aprovonin ato, por qytetarëve u jepnin vetëm shuma të vogla, nga 10 mijë deri në 40 mijë duke i justifikuar si fonde bamirësie apo në disa raste dhe si kredi të vogla për të cilat kishin aplikuar vetë qytetarët. Por, shifra për të cilën ishte aplikuar nuk ishte ajo që qytetarët merrnin në dorë.

Qytetarët paraqiteshin në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe u dorëzohej vetëm një pjesë. Pjesa më e madhe e parave përfitohej nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami dhe bashkëpunëtorët e saj.

Poll

MOS HUMB