
KRUJË- Një vrasje është parandaluar në Krujë, pasi një 19-vjeçar tentoi që të ekzekutonte xhaxhanë e tij. Për ngjarjen është vendosur në pranga i riu Fatbardh Mali, ndërkohë që në kërkim është shpallur vëllai i tij, vetëm 17 vjeç, pasi ka ndihmuar të vëllanë që të kanoste xhaxhanë. Por mes tyre ka ndërhyrë babai i dy vëllezërve, i cili ka kërcënuar se do të vritej me kallashnikov.
Por si ka nisur përplasja?
Sherri mes dy vëllezërve dhe xhaxhait të tyre ka nisur disa ditë më parë. Kjo sepse Fatbardh Mali dhe i vëllai kishin marrë para nga gjyshi i tyre duke e mashtruar se kishin probleme me persona të tjerë. Pasi xhaxhai i tyre ka marrë vesh mashtrimin, shaxhai i dy vëllezërve ka shkuar dhe i ka bërë kallëzim në Komisariatin e Krujës. Pasi janë thirrur në Polici për të dhënë versionin e tyre lidhur me ngjarjen, dy vëllezërit nuk janë paraqitur por kanë marrë një kallashnikov dhe i kanë shkuar në banesë xhaxhait te tyre duke e kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk do të tërhiqte kallëzimin.
Por fatmirësisht, Policia e Shtetit ka ndërhyrë në kohë. Aktualisht, Policia po heton dy të rinjtë edhe për ngjarje të tjera pasi ka dyshime se janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
NJOFTIMI I PLOTË:
Krujë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale. Kanosën me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, që të tërhiqte kallëzimin e bërë për ta, vihet në pranga 19-vjeçari, shpallet në kërkim vëllai i tij. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bubq, dy shtetas kishin kanosur me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, kanë organizuar menjeherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat i veprimeve të shpejta, është kapur dhe arrestuar shtetasi F. M., 19 vjeç. Gjithashtu, u shpall në kërkim vëllai i tij 17 vjeç. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas kanë kanosur me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, që të tërhiqte kallëzimin e bërë për ta, për mashtrim. Gjithashtu, dyshohet se dy vëllezërit kanë kanosur dhe babanë e tyre. Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur për kanosjen. Vijon puna për kapjen e 17-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI