Aktualitet

Akuzohet se ngacmoi seksualisht 15-vjeçarin/ Burg për Aleks Agon: Babai i ka vdekur, vetëm e kam ndihmuar

Ai ka thënë se kanë njohje të largëta familjare dhe duke i ditur problemin, është munduar ti afrohet për ta ndihmuar qoftë me lek apo ushqime.

F.I
Akuzohet se ngacmoi seksualisht 15-vjeçarin/ Burg për Aleks Agon:
FOTO ILUSTRUESE

KORÇË-Gjykata e Korçës ka vendosur masën e arrestit në burg për 45-vjeçarin Aleks Ago, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçar nga një fshat i Devollit. I dyshuari, banues në Devoll, është i martuar dhe prind i 3 fëmijëve.

Ago e ka mohuar përfshirjen e tij në këtë situatë. 45-vjeçari ka thënë para trupit gjykues se të miturin nuk e ka ngacmuar por pretendon se e ka ndihmuar për shkak se babai i tij ka ndërruar jetë 5 vite me parë. Ai ka thënë se kanë njohje të largëta familjare dhe duke i ditur problemin, është munduar ti afrohet për ta ndihmuar qoftë me lek apo ushqime.

Njoftimi i Gjykatës:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 29.01.2025 ora 10.30 seanca me objekt: "Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktim mase sigurimi", ndaj shtetasit A.A i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Ngacmimi seksual", parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal, ku gjykata në përfundim vendosi: Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Arrest në burg" për këtë shtetas”.

Ka qënë vetë i mituri, i cili dy ditë më parë së bashku me nënën në praninë e një psikologu, ka denoncuar në Komisariatin e Devollit 45-vjeçarin, duke thënë se ai e ka prekur në disa pjesë të trupit. Sipas dëshmisë së 15-vjeçarit, ky ka qënë rasti i 3-të i tentativës së Aleks Agos për ta tërhequr pas vetes duke i ofruar lekë./ZËRI

Poll

MOS HUMB