TIRANË- Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, që akuzohet se e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Bëhet fjalë për një pasuri, apartament 60 metra katrorë, të sekuestruar me vendim të shkallës së parë, në prill të vitit 2025. SPAK e akuzon Dedjan se e ka fshehur në deklarimin nga pasuritë e tij në formularin e vetëdeklarimit.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 27.01.2026, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga ankues Bashkim Dedja dhe L.D., ndaj vendimit nr. 5, datë 24.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, disponuar si vijon:
Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) të regjistruar me Nr. ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, regjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Urdhërohet sekretaria e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit. Shpenzimet gjyqësore sikurse janë bërë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 5, datë 24.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen ankuesve solidarisht. U shpall më datë 27.01.2026.
Bashkim Dedja u dënua më 26 qershor 2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Bashkim Dedja e kaloi shkallën e parë të vetingut, por Kolegjit të Posaçëm i Apelimit e rrëzoi këtë vendim pasi ai kishte një apartament në Golem, por pretendonte se ishte i vëllait. Ishte kontrata e OSHEE ajo që e nxorri zbuluar. SPAK nisi hetimet ndaj tij në maj të vitit 2020, pasi ai dyshohej se kishte pasuri të paluajtshme që nuk justifikohej nga burimet e ligjshme./ZËRI