
TIRANË- Sali Berisha ka që më 30 dhjetor që është vendosur në masën e sigurisë "arrest shtëpie". Në vendimin e dhënë për masën e tij të sigurisë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shprehet qartë; Berisha nuk duhet të ketë komunikim me asnjë tjetër veç personave me të cilët jeton. Por gjatë 5 muajve në “arrest shtëpie”, kryetari i Partisë Demokratike e ka thyer disa herë masën e sigurisë. Fillimisht duke mbajtur fjalime nga dritarja e banesës së tij.
Pak javë më parë, priti në banesën e tij gazetarë të RAI, në një dokumentar që ata bënë për vendin tonë, e po ashtu edhe ish-eurodeputetin gjerman, Elmar Brok. Por edhe pse kërkesa për lehtësimin e masës herën e fundit iu refuzua për shkak se Berisha vazhdon takimet e tij, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Disa ditë më parë, shtëpinë e Sali Berishës e ka vizituar aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi.
Ky i fundit shfaqet i veshur me veshje tradicionale, teksa shfaqen duke ngritur dolli dhe foton e shkrepur e ka publikuar në rrjetet e tij sociale.
Mesa duket kryedemokrati nuk do t'i ndalë takimet e tij, na mbetet të shohim të ftuarin e radhës./ZËRI