Aktualitet

"Arresti me burg"! Gjykata e Lartë vendos më 4 mars: Rishikohen kushtet dhe kriteret e masës së sigurisë

Megjithatë, për të miratuar ndryshimin, duhet që shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të votojnë pro iniciativës së Sadushit.

zh.ll
"Arresti me burg"! Gjykata e Lartë vendos më 4 mars:
Gjykata e Lartë

TIRANË- Gjykata e Lartë do të shprehet të hënën, më 4 mars, mbi ndryshimin e praktikës gjyqësore lidhur me kushtet dhe kriteret për aplikimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Iniciativa për ndryshimin e praktikës u ndërmor nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili argumenton se vendimi është i domosdoshëm edhe për t’u përputhur me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Megjithatë, për të miratuar ndryshimin, duhet që shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të votojnë pro iniciativës së Sadushit.

Më 9 prill Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën të thirrura nga kryetari Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.

Konkretisht vendimi i vitit 2011 thotë se “kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme”.

Sipas kreut të Gjykatës së Lartë ky vendim duhet të ndryshojë për disa arsye. Në dokument nënvizohet se vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, për të argumentuar se pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative; duhet të jetë gjykata ajo që të japë prova se pse duhet vazhduar një arrest me burg dhe jo e kundërta; si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale.

Në nismën e ndërmarrë analizohet se për të provuar një person nga liria duhet të plotësohen disa kushte, si dyshimet e arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, rrezikshmëria që ai paraqet, rreziku për t’i shmangur drejtësisë, apo për të prishur provat ose intimiduar dëshmitarët.

"Në këtë kuadër, rishqyrtim të posaçëm kërkojnë sidomos disa formulime të vendimit unifikues nr. 7/2011, ndër të cilat veçohen këto qëndrime: 

Së pari, qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit "arrest në burg", "gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme".

Së dyti, qëndrimi sipas të cilit, në rastin e procedimeve penale për kryerjen e krimeve të rënda apo që kanë sjellë pasoja të rënda, "për vetë natyrën e këtyre veprave penale, të mënyrës së kryerjes e të pasojës së ardhur, është i pranishëm elementi i shkallës së lartë apo të rëndësishme të rrezikshmërisë së autorit të tyre sipas nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale", si edhe formulimi sipas të cilit "rreziku i largimit" mund të lidhet "edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, e sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj".

Së treti, qëndrimi sipas të cilit masa e sigurimit "arrest në burg" mund të çmohet e papërshtatshme "vetëm nëse ai ose mbrojtësi i tij i paraqesin gjykatës prova pozitive që tregojnë se kjo gjendje rreziku nuk është e pranishme, apo që nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë të zbatueshme masën e sigurimit arrest në burg".-thuhet në dokument.

Aktualisht në burgje janë 4503 të burgosur nga të cilët 2573 janë të paraburgosur, për të cilën nuk ka ende një vendim fajësie./ZËRI

Poll

MOS HUMB