Aktualitet

Arrestohet ish-nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit

Në akuzë saktësohet se Andri Çota ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

D.XH
Arrestohet ish-nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit
Andri Çota

LIBRAZHD- Ish-nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit Andri Çota është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi ishte shpallur në kërkim, pas dyshimeve se ka abuzuar me fondet e klubit sportiv “Sopoti”. Policia bën me dije se keqpërdorimi me fondet në klubin e qytetit ka ndodhur gjatë kohës që Çota ka mbajtur postin e nënkryetarit. Në akuzë saktësohet se Andri Çota ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Gjithçka ka nisur nga një denoncim i kryer në Policinë e Librazhdit nga Sekretari i Përgjithshëm i bashkisë, që ka vënë më tej në lëvizje policinë në Librazhd dhe Elbasan.

Personi që ka kryer denoncimin, ka deklaruar në polici se Çota kishte nën administrim një faqe në “Facebook” me emrin “Libazhdi meme”. Denoncuesi tha se këtë faqe, Andri Çota e përdorte për qëllime dashakeqe, deri për ofendime personale, si dhe duke mos kursyer fjalët e rënda, as për familjarët e njerëzve që ofendonte.

Denoncuesi deklaroi se Andri Çota përmes kësaj faqeje në “Facebook” tentonte të denigronte figurën e tij. Pas denoncimit, policia nisi një hetim të mirfilltë. Rezultoi që Çota kishte keqpërdorur fondet e klubit sportive të Sopotit, fonde që merreshin nga bashkia. Çota ka mbajtur postin e administratorit të KF Sopoti për tetë vite.

“Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për shpërdorim detyre. Në vijim të punës operacionale hetimore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shpërdorimit të detyrës, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, pas një muaji hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë  së Elbasanit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loading”.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi A. Ç., 37 vjeç, banues në Librazhd.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB