Aktualitet

“Azgannn! Vdeksha unë!”, momenti kur familjarët dorëzojnë vrasësin e efektivit, 23-vjeçari qesh

Azgan Mernica u vetëdorëzua mbrëmjen e së mërkurës (15 Maj), dy ditë pas krimit të rëndë, pas negociatave të policisë me familjarët e autorit

E.K
“Azgannn! Vdeksha unë!”, momenti kur familjarët
novruz cenalia

FIER- Mori fund pas më shumë se 48-orësh arratia e 23-vjeçarit Azgan Mernica, i cili qëlloi për vdekje efektivin e policisë Novruz Cenalia, pas një sherri për motive banale, në fshatin Baltëz. Ai u dorëzua në polici nga ana e familjarëve të tij, ndërsa janë publikuar dhe pamjet ku ai shihet mjaft i qeshur dhe i qetë duke u futur në makinën që do e dërgonte drejt komisariarit të policisë së Fierit. Në video dëgjohen dhe familjarët e tij, teksa i urojnë rrugën e mbarë, drejt burgut… ku me siguri e pret dënimi i përjetshëm, pasi akuza e ngritur ndaj tij është ajo e vrasjes së efektivit të policisë së shtetit.

 “Azgan vdeksha unë… Hajt rrugë e mbarë! Zoti para”, dëgjohet duke thënë një grua.

“Ik dorëzojeni”, dëgjohet një zë tjetër në sfond, ndërsa tre prej të afërmve të tij e shoqërojnë me makinë drejt policisë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Fierit, autori ka qenë në pamundësi për t’u larguar dhe për këtë shkak është dorëzuar nga familjarët në polici.

“Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier”, njoftoi policia.

Njoftimi:

Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.

Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.

Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar.

Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB