
TIRANË- Ka marrë fund arratia e autorit të vrasjes së efektivit të "Shqiponjave" në Fier, Novruz Cenalias. Azgan Mërnica mbrëmjen e sotme (15 maj) është vetëdorëzuar në policinë e Fierit. Për kapjen e tij kërkimet vijuan prej dy ditësh. 23-vjeçari është vetëdorëzuar në Polici pas negociatave nga babai dhe daja i tij. Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej. Daja i Azgan Mërnicës, i bëri thirrje këtë të mërkurë nipit që të dorëzohet ndërsa shtoi se nëse do ta dinte se ku ndodhet do ta dorëzonte vetë në polici. Ai tha se po kërkojnë ngado, por nuk kanë arritur ta gjejnë. Po ashtu thotë se nuk e di se si e ka gjetur armën nipi i tij.
"I kam rënë telefonit nuk përgjigjet. I kam shkruar e nuk përgjigjet. Ne më shumë kemi marrë vesh ngjarjen nga televizori se sa nga motra. Nuk kisha dijeni nëse nipi lëvizte me armë. Nuk e dimë nga e mori armën. Kam komunikuar me të gjithë që njohim dhe po kërkojmë të gjithë bashkë. Kam fol me policinë, i kam thënë që do e dorëzojë nëse e gjejmë,"- deklaroi daja i Mërcinës.
Mërnica fshihej në një banesë në fshatin Dërmenas, ku më pas shkuan forcat RENEA, pas negociatave nga babai dhe daja i tij, për ta dorëzuar. Ndërkohë Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj Azgan Mërnicës, vepra penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.
Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t'u vetëdorëzuar. Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.
Mërnica qëlloi me një plumb në kokë efektivin duke i shkaktuar vdekje dhe u arratis nga vendi ku ndodhi ngjarja, në fshatin Baltëz të Fierit. Dyshohet, se Novruz Cenaliaj pati një konflikt të çastit me 23-vjeçarin dhe u konfliktuan verbalisht dhe më pas fizkisht për kalimin në rrugën e ngushtë që po përshkonin me makinë.
Si ndodhi ngjarja
Efektivi Cenalia, i cili ishte prej 4 vitesh pjesë e komisariatit të policisë në Fier, vetëm disa javë më parë kishte kurorëzuar martesën e tij. Mesditën e të hënës ai kishte veshur uniformët e “Shqiponjave” dhe po i drejtohej komisariatit për të marrë shërbimin. Rrrugës, në fshatin Baltëz automjeti i tij ndalon dhe nga një makinë përballë hapet zjarr. Novruz Cenalia merr një plumb në kokë dhe për pasojë humb jetën në vendin e ngjarjes.
Efektivi do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz. Në nder të tij, këtë të mërkurë u mbajtën homazhe në hollin e Teatrit Bylis në Fier. Me lot në sy, kolegët e repartit “Shqiponja” i dhanë atij lamtumirën e fundit. Në homazhe mori pjesë mes të tjerëve edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili u shpreh se “gjaku i policisë është gjaku i shtetit”./ZËRI