Aktualitet

Bashkëpunimi shtetëror: nga mbrojtja dhe siguria kibernetike, te shëndetësia

Si pjesë e marrëveshjes, të dyja palët janë zotuar të avancojnë bashkëpunimin në kërkimin mjekësor dhe zhvillimin e pajisjeve dhe teknologjive mjekësore.

Redaksia Zëri
Bashkëpunimi shtetëror: nga mbrojtja dhe siguria kibernetike, te
foto ilustruese

TIRANË- Megjithëse Izraeli po shfaqet edhe me projektet e para të rëndësishme të investimit privat, në dekadën e fundit, bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar sidomos në nivel shtetëror, me shumë marrëveshje të nënshkruara pas vitit 2015.

Në muajin mars të këtij viti, ministri izraelit i Shëndetësisë, Uriel Busso, dhe ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Albana Koçiu, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi (MM) për të avancuar bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë.

Marrëveshja përfshin bashkëpunimin midis ministrive të shëndetësisë të vendeve për zhvillimin e projekteve mjekësore, nxitjen e inovacionit dixhital në shëndetësi, rritjen e gatishmërisë për emergjenca, shkëmbimin e njohurive në lidhje me kujdesin për viktimat masive dhe të drejtat e pacientëve, si dhe mësimin e ndërsjellë nga përvojat e tyre përkatëse në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Si pjesë e marrëveshjes, të dyja palët janë zotuar të avancojnë bashkëpunimin në kërkimin mjekësor dhe zhvillimin e pajisjeve dhe teknologjive mjekësore.

Qëllimi është të nxisin lidhjet midis institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe sektorëve të biznesit në të dy vendet, për të nxitur tregtinë dhe inovacionin në sektorin e shëndetësisë.

Vitin e kaluar, Qendra Spitalore Universitare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Sheba Medical Center, qendër spitalore nga Izraeli e specializuar sidomos në trajtimin e tumoreve.

Marrëveshja ka synim forcimin e Shërbimeve Onkologjike në Spitalin “Nënë Tereza”, nëpërmjet formimit të një grupi të përbashkët pune me vizita të rregullta në vend dhe koordinim në distancë, ofrimin e trajnimeve në Sheba për udhëheqësit, mjekët, infermierët dhe teknikët shqiptarë, duke përfshirë programet afatshkurtra dhe bursat e plota, ofrimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë konsultative për ekipet e “Nënë Terezës” për menaxhimin e rasteve komplekse të onkologjisë, etj.

Këtë vit, kompania shtetërore shqiptare e industrisë së mbrojtjes, KAYO sh.a., nënshkroi një marrëveshje me kompaninë izraelite të teknologjisë ushtarake, Elbit Systems Ltd, për të ringritur në qytetin e Vlorës Shkollën e Aviacionit, ku do të përgatiten pilotë ushtarakë dhe civilë.

Ky projekt do të shërbejë për ngritjen e kapaciteteve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme për Forcat e Armatosura në fushën e aviacionit. Sipas KAYO, rihapja e Akademisë së Aviacionit pritet të ulë kostot e trajnimit, të garantojë certifikim të pavarur dhe të rrisë ndjeshëm kapacitetet kombëtare në fushën e mbrojtjes dhe të aviacionit civil.

Vitin e kaluar, ministrat e Turizmit të Shqipërisë dhe të Izraelit nënshkruan një deklaratë të përbashkët, për rritjen e mbështetjes dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e turizmit.

Që prej vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Izraelit ekziston edhe një memorandum mirëkuptimi për sigurinë kibernetike.

Bashkëpunimi i parashikuar nga ky Memorandum Mirëkuptimi përfshin shkëmbimin e informacionit mbi politikat, procedurat, incidentet, dokumentacionin dhe praktikat më të mira të sigurisë kibernetike; zhvillimin e burimeve njerëzore; promovimin e sipërmarrjeve të përbashkëta me industrinë kibernetike dhe akademinë për të rritur nivelin e sigurisë kibernetike në nivel kombëtar; promovimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e ndërtimit të kapaciteteve; etj.

Ndërkohë, më herët, në periudhën 2015 – 2022 janë nënshkruar edhe një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi mes institucioneve publike të të dy vendeve, në fusha si nxitja e investimeve, taksat (shmangia e tatimit të dyfishtë) shëndetësia, siguria, arsimi dhe shkenca, etj./MONITOR

Poll

MOS HUMB