
GREQI-Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri është një nga kandidatët për eurodeputet në Parlamentin Europian, në listën e partisë Demokracia e Re, e cila drejtohet nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Beleri ka dhënë një deklaratë nga burgu për newsboom.gr ku shprehu krenarinë për të përfaqësuar helenizmin e Vorio Epirit. Në fjalën e tij nuk kanë munguar as aluzat për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ku shprehet se ky i fundit e ndaloi të merrte detyrën dhe e la në burg.
"Fredi Beleri vazhdon të luftojë nga burgu. Zëri i tij, padyshim, nuk mund të shuhet pas hekurave të burgut ku mbahet ilegalisht nga Edi Rama dhe qeveria e tij..., të cilët synojnë të “rrënjosin” gjithçka greke në Shqipëri, duke rrëmbyer edhe pronat pa asnjë turp,"-thuhet në artikullin e medias greke.
Deklarata e plotë:
Prej një viti, regjimi i Ramës, me një aktakuzë flagrante, më mban të burgosur, sepse guxova të fitoja zgjedhjet
në Bashkinë e Himarës. Sepse doja të mbroja pronat, interesat dhe dinjitetin e grekëve të zonës. Megjithë rezolutat e Parlamentit Europian, Partisë Popullore Europiane dhe shumë organeve të tjera, regjimi i Ramës më ndaloi të merrja detyrën. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis më dha mundësinë të vazhdoj luftën time si kandidat për Parlamentin Evropian. Një luftë jo vetëm personale, por ka të bëjë me demokracinë, shtetin ligjor dhe liritë e qytetarëve. Bëhet fjalë për nderin dhe krenarinë e helenizmit kontinental verior. Kjo është beteja që po bëj dhe me forcën tuaj mund ta fitojmë atë.
Teksa kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ndodhet në burg, djali i tij Petros Beleri ka filluar fushatën krah kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ai u shfaq në turin në Arta së bashku me kryeministrin grek, në kuadër të zgjedhjeve europiane të qershorit.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen çdo pesë vjet me votim universal për të rriturit me më shumë se 400 milionë njerëz me të drejtë vote, ato janë zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë pas zgjedhjeve të Indisë. Deri në vitin 2019, 751 eurodeputetë u zgjodhën në Parlamentin Evropian. Partitë politike evropiane kanë të drejtë të bëjnë fushatë në mbarë BE-në për zgjedhjet evropiane. Ditët e zgjedhjeve janë 4 ditë radhazi. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në 2019 dhe zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen këtë vit.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI