Aktualitet

Beqaj ofron 20 mijë euro garanci për të dalë nga qelia, SPAK kërkon kohë, GJKKO shtyn shqyrtimin

Megjithatë, SPAK kërkoi shtyrje të shpalljes së vendimit, duke kërkuar kohë që të njihet me të gjitha pretendimet e mbrojtjes.

zh.ll
Beqaj ofron 20 mijë euro garanci për të dalë nga qelia, SPAK
ilir beqaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) ka shtyrë për në datën 7 prill shqyrtimin e kërkesës për lirimin nga qelia të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ish-ministri i Shëndetësisë insiston në kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë dhe ka ofruar garanci pasurore 20 mijë euro në këmbim të daljes nga qelia. Megjithatë, SPAK kërkoi shtyrje të shpalljes së vendimit, duke kërkuar kohë që të njihet me të gjitha pretendimet e mbrojtjes.

Sakaq, GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e bashkëpunëtorit të Beqajt, biznesmenit Ermal Kurtulaj për zbutje të masës së sigurisë pasi pretendon se ka probleme shëndetësore. Ai ndodhet në burg prej 4 korrikut 2024 kur u arrestua me urdhër të SPAK për dosjen e abuzimeve me fondet e BE në SASPAC.

Sipas SPAK, gjatë ushtrimit të detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i SASPAC-ut, Ilir Beqaj ka vepruar si urdhërues, kurse Ermal Kurtulaj, si zbatues dhe të dy bashkë përgjatë viteve 2022-2023 kanë kryer procedura prokurimi fiktive.

Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por ende SPAK nuk e ka një shifër ekzakte. Aktualisht, SPAK ka sekuestruar 14.3 mln lekë, 15 mijë e 500 euro dhe 42 mijë e 300 $, që iu përkisnin shtetasve Ilir Beqaj, Gazment Haxhia, Ermal Kurtulaj, Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe Elton Marini.

Sipas SPAK të gjitha shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve që organizonte SASPAC përgjatë vitit 2023 nuk i janë nënshtruar asnjë procedure prokurimi të rregullt. Por në çdo rast fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më përpara se të realizohet procedura e prokurimit. Prokurimi është bërë fiktivisht sa për efekt të dokumentacionit. SPAK ka dalë në përfundimin se tenderat janë urdhëruar nga Beqaj.

Edhe shoqëritë tregtare nuk kanë ofruar shërbime, por kanë mashtruar në bashkëpunim me Beqajn dhe Kurtulajn për të marrë përfitime të parregullta. Ish-ministri Beqaj akuzohet edhe për deklarim të rremë të pasurisë që nga viti 2020, ndërsa SPAK i ka bërë edhe listën e pasurive që i ka sekuestruar./ZËRI

Poll

MOS HUMB