KORÇË-Juglindja e vendit është zgjuar e zbardhur nga reshjet e dëborës. Reshjet janë të pranishme në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa intensiteti më i lartë raportohet në Dardhë, Voskopojë, Ersekë dhe në Qafë Thanë.
Bashkia Kolonjë
Reshjet e borës kanë nisur rreth orës 03:30, me intervale. Qarkullimi në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë vijon normal, ndërsa borëpastrueset janë në terren. Në zonën e quajtur “Gropat e Gëlqeres”, rreth 5 km nga Erseka në aksin Ersekë–Leskovik, është konstatuar rrëshqitje e pjesshme e rrugës; është vendosur sinjalistikë dhe shërbimet e policisë janë të pranishme për orientimin e drejtuesve të mjeteve.
Hidrovori i Tushemishtit
Vijon puna me tre pompa, ndërsa një pompë është jashtë funksionit. Niveli i ujit mbetet i lartë, por situata është nën kontroll dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Bashkia Maliq
Lumi Devoll ka dalë nga shtrati në disa pika të argjinaturës në zonën e Sheqerasit. Në Dunavec niveli i ujit është në maksimum, por pa dalje nga shtrati. Gjatë natës ka pasur bllokim në aksin Maliq–Lozhan (Senisht), i cili është pastruar, por vijon rreziku për trupin e rrugës për shkak të batisjeve. Janë raportuar rrëshqitje dherash në Mesmal, rënie gurësh në Lozhan të Lartë dhe aktivizim rrëshqitjeje në Kakaç. Rezervuarët janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe në Leminot është hapur lëshuesi katastrofik pas arritjes së kuotës maksimale. Në zonë kanë nisur edhe reshje bore, me trashësi rreth 2 cm.
Bashkia Korçë
Rruga për në Denas mbetet problematike nga situata e mëparshme, por niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Bashkia Devoll
Situata më e rënduar paraqitet në njësinë administrative Proger, ku përfshihen fshatrat Proger, Maqurisht, Cangonj dhe Shyec, për shkak të rritjes së prurjeve ujore.
Bashkia Pogradec
Në njësinë administrative Dardhas, rruga për në fshat është e pakalueshme, ndërsa mungon energjia elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë. Është raportuar edhe rrëshqitje rruge në zonën e Grunjazit. Probleme janë evidentuar në lumenjtë Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në unazën e qytetit, ku qarkullimi është kufizuar në një kalim. Në Nj.A. Çërravë, lumi i fshatit ka fryrje të madhe, por pa dëme të raportuara. Ndërkohë, ka rrëshqitje dhe bllokime rrugësh në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në disa fshatra të Nj.A. Proptisht, ku po punohet për hapjen e tyre. Reshjet e shiut po kalojnë gradualisht në formë llohe dhe bore.
Akset rrugore nacionale (ARRSH)
Në akset Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik kanë nisur reshje bore dhe po kryhet pastrim e kriposje. Në aksin Maliq–Kufi Gramsh ka reshje shiu dhe rënie gurësh e inertesh, ku ekipet janë në terren për pastrim. Aksi Korçë–Voskopojë është pastruar dhe qarkullimi vijon normal, ndërsa në Boboshticë–Dardhë po punohet për pastrim dhe kriposje për shkak të borës. Në akset Bilisht–Miras dhe Zemblak–Goricë reshjet janë të dobëta dhe nuk raportohen probleme.