Aktualitet

Brown për ZËRIN: Mediat më kanë dëmtuar! Avokatja Golloshi: Është i pafajshëm, do e ndjek deri në Strasburg

Ai sot jeton në Skoci, por përmes avokates Gjystina Golloshi e vijon procesin dhe kërkon pafajësinë nga shteti shqiptar, që nëse e arrin do të pasohet nga një dëmshpërblim i majmë, duke marrë parasysh që një ditë paraburgimi paguhet me 3 mijë lekë, ndërsa një ditë qëndrimi në qeli, pas dhënies së dënimit, me dy.

F.m
Brown për ZËRIN: Mediat më kanë dëmtuar! Avokatja
John David Brown dhe Gjystina Golloshi

TIRANË- Më 9 maj të vitit 2021, pasi kaloi 15 vite në burgun “302” në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, Broën u la i lirë. Atij iu falën dhe 45 ditë dënimi për ‘sjellje të mirë’ dhe më shumë se një muaj qëndroi në një institucion për të huaj në Vorë, ku priti daljen e pasaportës e të gjitha dokumentet për tu larguar nga Shqipëria.

Ai sot jeton në Skoci, por përmes avokates Gjystina Golloshi e vijon procesin dhe kërkon pafajësinë nga shteti shqiptar, që nëse e arrin do të pasohet nga një dëmshpërblim i majmë, duke marrë parasysh që një ditë paraburgimi paguhet me 3 mijë lekë, ndërsa një ditë qëndrimi në qeli, pas dhënies së dënimit, me dy.

Këmbëngulja e palës mbrojtje lidhet me ekzaminimin e fëmijëve, akte të bëra në një klinikë private që nuk janë marrë parasysh në proces. Këto akte tregojnë sipas mbrojtjes se nuk ka abuzuar Brown me fëmijët dhe se nuk ka mbetje të ADN-së së tij.  Ky akt ekspertimi, sipas avokates Golloshi nuk është bërë prej saj por nga “njerëz që duan të vërtetën”. Gjykatat shqiptare nuk i kanë marrë parasysh këto prova, pasi akt ekspertimi duhet bërë me urdhër të gjyqtarit dhe jo privatisht. Me shprehjen edhe të Gjykatës së Lartë, Golloshi deklaron se do ta çojë çështjen në Strasburg.

Nëse kjo provë pranohet në Strasburg, mundësia që skocezi të marrë pafajësinë rritet e po ashtu dhe mundësia për të lënë pa ndëshkuar makabritetin e përjetuar nga të vegjlit që e panë si një baba të munguar.

Mbrojtja gjithashtu ka paditur edhe gjyqtarin Gerd Hoxha dhe dy të rinjtë që janë abuzuar dikur, për kallëzim të rremë.

Vetë gjyqtari, deklaron se deri më tani nuk është njohur me asnjë padi të depozituar nga Golloshi, si e autorizuara e Brown, por përsa i përket dënimit të dhënë, Hoxha nuk u ndal duke shtuar se deri në mbarimin e shkallëve të gjykimit, nuk mund të komentojë, pasi ia ndalon si etika ashtu edhe ligji.

Tashmë çështja është në shqyrtim e sipër në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që dy nga fëmijët e abuzuar, sot janë në krah të njeriut që vetë e çuan pas hekurave.

ZËRI kontaktoi dhe me vetë David Brown, përmes WhatsApp, por personi që po kërkon pafajësi nga drejtësia shqiptare, nuk kishte asnjë koment. Ai refuzoi prerë duke u shprehur se media e kishte ‘lënduar’ më herët gjatë procesit gjyqësor, pas të cilit u dënua, ndaj nuk dëshironte të kompromentohej sërish.

Poll

MOS HUMB