Aktualitet

CEO i një prej kompanive më të mëdha në Kinë! Kush ishte manjati kinez që humbi jetën në Shqipëri

Ai kishte ardhur në Shqipëri për një takim pune, i cili rezultoi fatal për të.

F.I
CEO i një prej kompanive më të mëdha në Kinë! Kush
Li Jianhong

LIBRAZHD-Një nga biznesmenët më të fuqishëm të turizmit në Kinë humb jetën në Shqipëri. Një aksident në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, më 27 prill i mori jetën shtetasit kinez Li Jianhong, ndërsa u plagosën gjashtë persona të tjerë.

Fillimisht u raportua se ai ishte thjesht një turist, por mediat e huaja raportojnë se bëhet fjalë për 60 vjeçarin Li Jianhong, president dhe kryetar i kompanisë “Xinjiang Grand Scape Group” dhe themelues i resortit të skive “Silkroad Mountain Resort” në Urumqi të Kinës.

Ai kishte ardhur në Shqipëri për një takim pune, i cili rezultoi fatal për të. Automjeti i biznesmenit kinez u përplas me një tjetër automjet, me shofer një 26 vjeçar shqiptar, i cili më pas ra në pranga për  “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.

Li Jianhong, me një karrierë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, e kishte kthyer kompaninë e tij në një grup të madh biznesi me aktivitet në disa sektorë dhe me mijëra punonjës.  

Sipas të dhënave publike, Li Jianhong ka lindur në dhjetor 1965 në Kashgar dhe në vitin 1993 ka lënë një pozicion pune në Guangzhou për t’u kthyer në Xinjiang, ku nisi aktivitetin e tij privat.

Më pas, ai themeloi Xinjiang Grand Scape Group, një kompani me aktivitet në telekomunikacion, turizëm dhe menaxhim investimesh, e cila u rrit duke arritur asete të konsiderueshme dhe mijëra të punësuar. Grupi i tij ka qenë gjithashtu bashkëthemelues i Xinjiang International Grand Bazaar, një prej pikave më të njohura turistike në Urumqi, ndërsa në vitin 2003 Li themeloi Silkroad Mountain Resort, një nga resortet më të mëdha të skive në Kinë.

I njohur për pasionin e tij për alpinizmin dhe skitë, Li kishte përfunduar ekspeditën “Explorer’s Grand Slam”, duke ngjitur shtatë majat më të larta në botë dhe duke arritur të dy polet. Ai kishte ngjitur edhe majën e Mount Everest në vitin 2018, si dhe maja të tjera të rëndësishme si K2 dhe Lhotse.

Poll

MOS HUMB