Aktualitet

'Cila është feja juaj?'/ Pyetja e Censit hap debat publik

Megjithatë të përbashkët të gjitha reagimet kishin 'mesbesimin' pasi kërkonin që pasi qytetarët të dëshmonin përkatësinë e tyre fetare, të kontrollonin vetë nëse anketuesi do të shënonte të duhurën.

k.m.
'Cila është feja juaj?'/ Pyetja e Censit hap debat publik
Foto ilustuese

TIRANË- Nga sot e për 6 javët në vazhdim, në vendin tonë do të zhvillohet procesi i Censusit të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Por, të paktën deri më tani, pyetja që ka nxitur më së shumti reagime është ajo e përkatësisë fetare. Teksa ditën e sotme do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave, Kisha Katolike (por jo vetëm) u ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve katolikë që të deklarojnë përkatësinë fetare.

“Me anë të këtij komunikimi dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se me datë 18 shtator 2023 do të nisë censi (regjistrimi) i popullsisë dhe i banesave nga ana e INSTAT-it (Insitutit të Statistikave të Republikës së Shqipërisë) në të gjithë vendin, i cili rregullohet nga Ligji 140/2020. Ai është një proces që shihet si i nevojshëm për të kuptuar më mirë situatën shoqërore dhe ekonomike në të cilën gjendet popullsia e një vendi në momentin aktual. Në bazë të ligjit (Ligji 140/2020, neni 5, pika 1), të gjithë janë të detyruar t’i përgjigjen pyetësorit të hartuar për këtë qëllim nga INSTAT-i. Ne ju inkurajojmë që ta kryeni detyrën tuaj si qytetarë të vendit ndaj Institucioneve duke iu përgjigjur pyetësorit. Gjithashtu, duam të tërheqim vëmendjen tuaj ndaj pyetjeve rreth besimit fetar dhe fesë, të cilat mbajnë përkatësisht nr. 168 dhe nr. 169 të pyetësorit brenda Modulit I me titull Informacion individual. Detyrimi i përgjithshëm për t’u përgjigjur rreth atyre pyetjeve ka edhe opsionin: “Unë preferoj të mos përgjigjem”, pasi është një e drejtë e secilit (Ligji 140/2020, neni 4, pika 2) që në lirinë e tij, pyetjeve të atilla t’ju përgjigjet edhe duke zgjedhur opsionin e lartpërmendur. Ne si ipeshkvij jemi të bindur se një besimtar njihet nga frytet e jetës së tij (Lk 6, 44) dhe jo vetëm nga një pohim rreth përkatësisë së tij fetare. Megjithatë, pa dashur të cënojmë aspak lirinë e askujt, ne i ftojmë ngrohtësisht besimtarët katolikë, të cilët janë të bindur vërtetë se i përkasin këtij besimi dhe duan t’ju përgjigjen pyetjeve që: Për pyetjen 168 (Moduli I – Informacion individual) ku shkruhet: A praktikon ose i përket një feje ose një besimi të caktuar? Të shënoni “Po”. Për pyetjen 169 (Moduli I – Informacion individual) ku shkruhet: Cila është feja që ndjek ose i përket? Të shënoni “I krishterë – katolik” Duke ju uruar çdo të mirë, ju përshëndesim përzemërsisht."

Një thirrje erdhi nga Komuniteti Mysliman Shqiptar: Thirrje. Të dashur besimtarë, praktikantë ose jo. Nesër, datë 18 shtator 2023, në të gjithë Shqipërinë do të nisë Censusi, Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave të të gjithë shqiptarëve. Ky është një proces tepër i rëndësishëm, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia fetare e çdo individi. Megjithëse kjo pjesë është lënë “deklarim me dëshirë”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju bën thirrje dashamirëse të gjithë besimtarëve, qofshin praktikantë ose jo, të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare duke iu përgjigjur pyetjes, ‘cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket’, të shënoni: “Mysliman”. Deklarojeni me krenari besimin tuaj dhe sigurohuni që regjistruesi ta hedhë saktë në tabelën elektronike, ashtu siç ju e deklaroni. Thirrja nuk është për numra, është për krenari e dinjitet të besimit të secilit.

E po ashtu, nuk mungoi as Kisha Ortodokse e Shqipërisë.

“Nga dita e hënë, datë 18 shtator 2023, dhe në 6 javët në vazhdim, në të gjithë vendin do të kryhet Regjistrimi/Censi i Popullsisë dhe Banesave. Në këtë proces të rëndësishëm do të regjistrohen edhe të dhënat e përkatësisë së besimit fetar. Meqë kjo pjesë e Censit është lënë vetëm fakultative, tregoni vëmendje dhe përgjegjshmëri, duke kërkuar shënimin e identitetit tuaj fetar: “i/e krishterë Ortodoks”. Kontrolloni dhe sigurohuni që përgjigjja e pyetjes në lidhje me përkatësinë fetare, që e plotëson anketuesi, të jetë hedhur saktë në tabletin (aparatin elektronik) me të cilin regjistron, sipas asaj që ju keni deklaruar,”- shkruan në Facebook, Kisha Ortodokse e Shqipërisë.

Megjithatë të përbashkët të gjitha reagimet kishin 'mesbesimin' pasi kërkonin që pasi qytetarët të dëshmonin përkatësinë e tyre fetare, të kontrollonin vetë nëse anketuesi do të shënonte të duhurën. Por që në ditën e parë, kanë nisur edhe debatet publike lidhur me çështjen. Komunitete të ndryshme fetare në Shqipëri, janë lëshuar njëzëri për t'ju kërkuar shqiptarëve të identifikohen me fetë që ata përfaqësojnë, në censin që ka nisur ditën e sotme. Biznesmeni Gjergj Luca, ka reaguar duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos identifikohen me asnjë fe, por të shënojnë se janë shqiptarë!

"Përshëndetje miq, na ka ardhur kjo vajza për të plotësuar këtë, por kemi mbetur këtu tek fetë. Edhe këtu thotë feja myslimane, bektashi, katolik, ortodoks, po kjo ungjillor çfarë është? Ma thuaj çfarë është?! Nuk e di çfarë është kjo ungjëllor, por nga sa mbaj mend unë, mbas turqve nuk na ka pushtuar ndonjë ushtri tjetër. Këto kanë kaluar shpejt dhe nuk na kanë sjellë ndonjë fe. Nuk flet! Unë jam nona myslimane, baba katolik. Gruaja ortodokse, një kalama e kam pagëzuar, një sherr më ka shkuar tek xhamia e lagjes. Unë falem në Kishë por edhe në Xhami. Çfarë të shkruaj këtu?! Po kjo, tjetër...?! Prapë nuk flet. Atëherë unë jam duke shkruar shqiptar. Edhe u bëj thirrje që të gjithë të shkruajmë shqiptar, se ne jemi për kombin dhe atdheun para. Pastaj për fetë. Kështu du' me e shkruajtur unë këtë faqe."

Kundërpërgjigjen e ka marrë nga pastori Akil Pano. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, pastori thotë se "feja e shqiptarit nuk është shqiptaria", ndërsa shton se Luca me thirrjen e tij po e kthen vendin në Komunizëm. Sipas tij, thirrja e përdorur nga Vaso Pasha nuk ishte kërkesë për mosidentifikim të shqiptarëve në kuadrin fetar, por thirrje për bashkim kombëtar.

Reagimi i Pastorit:

Thirrja e Lucës, kthim në Komunizëm

Thirrja e Lucës që Shqiptarët të mos prononcohen për fenë por tek kategoria e përkatësisë fetare të deklarohen vetëm ‘Shqiptarë’ na kthen tek reminishencat e së shkuarës komuniste. Populisti Luca na kthen pas tek koha e etërve komunistë të cilët e degjeneruan fenë në çdo formë. Lufta ndaj fesë nisi me përbaltjen e figurave të larta të klerit si bashkëpunëtorë me armikun. Ndërsa pjesa dërmuese e përfaqësuesve të klerit ishin kapacitete të larta intelektuale, regjimi komunist i lidhi me injorancën dhe prapambetjen. Përbaltja e figurave dhe personaliteteve fetare ishte vetëm fillimi i projektit komunist. Më pas ideologjia marksiste, çensura, burgimet, shkatërrimi i objekteve të kultit dhe ligji kushtetues për ndalimin kategorik të fesë në Shqipëri. ‘Mjeshtri i peshkut’ të bëjë kujdes kur prononcohet për fenë e Shqiptarëve dhe veçanërisht kur bën thirrje publike të këtij lloji, pasi zgjon tek shqiptarët kujtimin e dhimbjes, dhunës, burgosjes dhe martirizimit të njerëzve të fesë.
Feja e Shqiptarit nuk është shqiptaria o Luc. Pashko Vasa ose Vaso Pasha në poezinë e tij i bënte thirrje Shqiptarëve për bashkim, në një kohë dhe kontekst të caktuar për vendin që të gjithë e njohim. Thirrja e tij nuk ishte kërkesë për mosidentifikim të shqiptarëve në kuadrin fetar, por thirrje për bashkim kombëtar. Sot shqiptarët janë Muslimanë, Katolikë, Orthodhoksë, Bektashinj, Ungjillorë/Protestantë (për këtë deklarove se ishe i paditur e për padijen nuk të bëj me faj). Janë këto pesë fe të cilat njihen zyrtarisht nga shteti shqiptar përmes marrëveshjeve të ratifikuara në Kuvendin e Shqipërisë, marrëveshje të cilat u japin këtyre komuniteteve besimi statusin e bashkësive fetare të njohura nga shteti si të tilla. Ungjillorët/Protestantët janë themeluar si bashkësi fetare në Shqipëri në vitin 1892 nën siglën ‘Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.’ Por dhe këtë ti nuk e di dhe s’të bëj me faj. Kjo është një çështje që duhet të shqetësojë më shumë Ungjillorët. Problemi në thirrjen tënde nuk është se ti s’di asgjë për Ungjillorët dhe kontributet e tyre në Shqipëri që lidhen me fenë, gjuhën shqipe, arsimin, etj. Problemi yt mjeshtër është thirrja që shqiptarët mos të deklarojnë identitetin e tyre fetar. Kjo na kthen në të shkuarën tragjike kombëtare, komunizmin shqiptar. Modelin suigeneris që shoku Enver ngriti në shoqërinë shqiptare, pasi më parë likuidoi fenë dhe lirinë. Ndaj, miqësisht të lutem herën tjetër, pak më shumë kujdes, pak më shumë vëmendje dhe natyrisht më shumë informacion. Miqësisht, pastori!/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB