
KUKËS – Veriu i vendit është përfshirë nga reshjet e dendura trë dëborës, gjë që ka sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve në Rrugën e Kombit.
Drejtuesit e automjeteve janë paralajmëruar që të kenë kujdes, pasi dëbora është e dendur. Mësohet se në disa fshatra malorë të Kukësit, bora ka arritur në 20 centrimetra. Autoritetet po punojnë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.
Reshjet e borës kanë bërë që të ndërpritet energjia elektrike në disa njësi administrative të qarkut të Kukësit. Kështu, është ndërprerë energjia në njësitë Shishtavec, Topojan, Zapod të Kukësit, Golaj dhe Gjinaj në Has, si dhe në njësitë Tropojë e Vjetër e Bytyq të Tropojës.
Bllokohet rruga Kukës-Peshkopi
Rruga që lidh Kukësin me Peshkopinë është bllokuar. Kjo, pasi reshjet e borës në këtë aks rrugor arrijnë në 6 centimetra. Reshjet kanë krijuar shtresa akulli në rrugë. Lëvizja e makinave në këtë aks bëhet me zinxhirë.
Bllokohet rruga Peshkopi-Bulqizë, një makinë del nga rruga
Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë edhe qarkun e Dibrës. Bora ka zbardhur edhe qytetin e Peshkopisë. Trashësia e borës në disa zona arrin deri 10 centimetra, ndërsa në fshatrat malorë deri në 20 centimetra. Përpos rrugës Peshkopi-Kukës, me zinxhirë duhet të kalohet edhe aksi rrugor nga Kalaja e Dodës në drejtim të Kukësit.
Si pasojë e motit të keq, një automjet raportohet se ka dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur në vendin që njihet si ‘Pishat’. Aksi rrugor Peshkopi-Bulqizë është bllokuar, për shkak të prezencës në rrugë të akullit dhe ngricave.
Në Elbasan, përroi i Zaranikës, është fryrë, për shkak të prurjeve të shumta. Incidente janë shënuar edhe në jug të vendit. Një shkëmb 300 kilogramë mësohet se ka rënë nga mali në aksin Kardhiq-Sarandë, pranë Tunelit të Skërficës. Ky incident solli ndalimin e mjeteve për një periduhë kohe, derisa autoritetet kanë hequr shkëmbin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH, me anë të një deklarate për mediat, ka dhënë një panoramë të gjendjes së rrugëve, pas motit të keq. ARRSH shprehet se në rajonin Jugor dhe Qendror, moti ka qenë i vranët, me reshje shiu pa intensitet, por pa sjellë probleme në akset rrugore, ndaj qarkullimi vijon normalisht.
Ndërsa, në Rajonin Verior, ka pasur reshje të dëborës me intensitet. Grupet e punës janë në terren, me mjete e punëtorë, për pastrim të rrugës dhe shpërndarje me kripë të rrugës. Në njoftim, theksohet se drejtuesit e mjeteve në Rajonin Verior, duhet të pajisin mjetet me goma dimërore.
Njoftimi i ARRSH:
Njoftim mbi gjendjen e akseve rrugore
Në Rajonin Jugor dhe Qendror moti ka qenë i vranët me reshje shiu ????️pa intensitet, pa sjellë probleme në akset rrugore, qarkullimi vijon normalisht✔️
????️Në Rajonin Verior ka pasur reshje dëbore me intensitet, grupet e punës janë në terren ????me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rruges dhe shpërndarjen e kripës, si në:
????Kukës-Krumë ,dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, në Qafë Thore, në Vau i Dejes-Pukë-Kukës,Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë
⚠️Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Në një njoftim të dytë, ARRSH bën apel për të gjithë shoferët, që të kenë kujdes në aksin rrugor që lidh Peshkopinë me Bulqizën. ARRSH shprehet se në këtë aks ka pasur reshje dëbore me intensitet. Njoftimi saktëson se shoferët duhet të tregojnë kujdes, duhet të pajisen me goma dimërore, të ulin shpejtësinë e të respektojnë sinjalistikën.
“Në Bulqizë-Peshkopi???? ka pasur reshje dëbore me intensitet????️???? Mjetet borëpastruese kanë qenë në terren pa ndërpreje, kanë bërë pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës ⚠️për ta mbajtur qarkullimin në normalitet????
⚠️Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, në kohë me reshje ???? pajisuni me goma dimërore kur udhëtoni drejt këtij aksi për të mos sjellë probleme me qarkullimin e mjeteve, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore????♂️”, saktësohet në njoftim. /Zëri.ai/