
LUSHNJE- Gjermania ktheu dy ditë më parë një sasi prej 24 ton kontraveca, të prodhuar në Lushnjë, pasi kanë rezultuar se janë me pesticide. Në këto kastravecë është gjetur preparati “oksamil”, që është gjendur në analizat që janë zhvilluar në shtetin gjerman. Sasia e kastravecit që u kthye mbrapsht do të asgjesohet, ndërkohë që dëmet për fermerët janë të pallogaritshme.
Ata kanë denoncuar institucionet, përfshirë ministrinë e Bujqësisë, që nuk i kanë informuar si duhet në lidhje me pesticidet e ndaluara, që shiten lirshëm në farmacitë bujqësore. Pesticidi që po fundos fermerët e Lushnjes është Oksamili, një pesticid i ndaluar në Europë, por i lejuar në Shqipëri. Administratori i pikës së grumbullimit në Lushnje, të cilit iu bllokua mbi 20 ton kastravec Lulzim Sari thotë se vetëm në këtë rast atij i është shkaktuar një dëm prej 30 mijë eurosh.
"Analizat në laboratoret tona nuk tregojnë llojet e pesticideve të ndaluara. Shteti Gjerman i kapi, shteti shqiptar nuk bën analiza", shprehet Sari, ndërsa ka vijuar më tej duke thënë se 36 lloje pesticidesh që janë të ndaluara prej 3 vitesh në Europë, në Shqipëri shiten lirshëm. “Janë bërë fermerët si minatorë, ngelën gjithë ditën me pompë në krahë duke spërkatur dhe krimbi nuk po ngordh. Janë 36 pesticide që kanë dalë nga tregu në Europë, dhe këtu shiten lirisht”, u shpreh Sari.
Ndërkohë që një tjetër fermer tregon se edhe Belgjika ka kthyer pas perimet dhe zarzavatet që prodhohen në Lushnje.
“Europa ka ligjet e tyre, këtu janë 3 ligje të ndryshme, futen pesticide pa kontroll që nuk lejohen në Europë. Mua para 15 ditëve mu gropos kamioni në Belgjikë, pikërisht për shkak të këtyre mbetjeve. Di gjë fermeri nëse është e lejuar apo jo një produkt. Nuk është problem vetëm për eksportin por edhe për tregun e brendshëm, se këtu nuk jetojnë dërra. Të sjellë shteti një laborator këtu, afati që ai pesticid të dalë nga fruta do 45 ditë, aq ditë nuk na pret prodhimi. Jemi bërë që të dalim me një majë mali dhe t’ia thërresim me të qarë. Neve tregin në Europë e kemi kapur vetë, kemi marrë makinën me 10 arka me domate dhe kemi bredhur në çdo vend. Na vjen tani dhe na godasin, unë nuk kam mbaruar agronomi, nuk e di unë se çfarë është apo jo e ndaluar”, tregon një tjetër fermer, i goditur gjithashtu nga kthimi pas i produkteve për shkak të mbetjeve të pesticideve.
Denoncimi më i fortë bëhet nga një fermer, ku thotë se në Shqipëri tregtohen produkte me pesticide të dëmshme. Pesticidi i ndaluar, Oxamil, shitet nga farmacitë bujqësore .
“Na thanë është e lejueshme për tregun vendas, nuk e dinim që ndalohej për eksportet. Sipas tyre, fëmijët tanë të hanë kastraveca të dëmshëm, për të huajt ndalohet. Ne na janë mbyllur portat e Europës, e kemi përdorur në të gjithë sipërfaqen e mbjellë, sepse na kanë thënë që është i lejueshëm", tregon një tjetër prej fermerëve.
Fermeri Fuat Vesho bën me faj farmacitë bujqësore por edhe vetë Ministrinë e linjës.
"Farmacitë bujqësore po na falimentojnë, Ministria e Bujqësisë duhet të bëj analiza, të na bind që fajin e kemi ne prodhuesit, sepse ato helme shiten në treg", denoncon ai.
Fermerët ndajnë të gjithë të njëjtën qëndrim, që duhet të ketë një ndërhyrje më të rreptë nga Ministria e Bujqësisë në farmacitë që tregtojnë pesticide, pasi në laboratoret shqiptare Oskamil dhe ilaçe të tjera të ngjashme, nuk konsiderohen të ndaluara.
/Zëri.ai