TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit të ndërtimit, Eduart Reçi. Gazetarja e “Top Channel”, Anila Hoxha, tha se viktima kishte bërë një kallëzim për konflikte pronësie, por nuk ka pasur të dhëna kriminale. Sipas Hoxhës, biznesmeni ishte duke folur në telefon në momentin kur u qëllua me plumb në kokë.
“I ndjeri kishte bërë një kallëzim për konflikt pronësie. Nuk ka pasur të dhëna kriminale. Viktima ishte në telefon në momentin e sulmit,”- tha Hoxha.
Kamerat e sigurisë në zonë nuk kanë kapur për asnjë moment autorin e atentatit, por vetëm viktimën. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, ndaj mëngjesin e sotëm, agjentët e krimeve u rikthyen në vendin e ngjarjes dhe nisën edhe njëherë riekspertimet.
Çështja është regjistruar si vrasje me paramendim dhe nga detajet e para raportohet se është qëlluar me pistoletë, por nuk përjashtohet mundësia që ekzekutimi të jetë kryer edhe me një snajper, ose nga një armë zjarri e pajisur me dylbi.
Megjithatë, për momentin Policia e Shtetit ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen, por është mjaftuar me një njoftim paraprak, i cili u shpërnda mbrëmjen e djeshme. /ZËRI