
VLORË- Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka lënë në burg 3 autorët që dyshohet se dhunuan një vajzë të re, për shkak se nuk pranoi fejesën.
Babai, vëllai dhe i fejuari dyshohet se ushtruan dhunë ndaj 29-vjeçares, në mënyrë që ajo të martohej me 34-vjeçarin Armand Jaka, edhe ky i fundit i vënë në pranga nga policia. Bashkë me të janë lënë në pranga babai i saj Astrit Bajrami, 60 vjeç dhe vëllai Erlind Bajrami, 26 vjeç.
29-vjeçarja ka refuzuar të bashkëjetonte me partnerin, për shkak se familja e kishte fejuar pa miratimin e saj.
Avokatët e tre personave të arrestuar janë shprehur se e reja vuante nga epilepsia dhe shenjat në trup i ka pasur si pasojë e rrëzimit. Mirëpo Policia e ka gjetur vajzën në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, dhe 3 familjarët e saj do të qëndrojnë në burg deri në një vendim te dytë nga ana e Gjykatës së Vlorës.
Dy avokatët e çështjes, Edmond Dema dhe Romarjo Meminaj, u shprehën se vajza që prej moshës 2-vjeçare vuan nga epilepsia dhe kërkuan të bëhen hetime për ngjarjen.
“Vajza nuk ishte e fejuar, por e martuar dhe me një fëmijë 5 vjeç. Prej kohësh, kurohej te neurologu dhe kishte shfaqur probleme. Kjo nuk është hera e parë që policia arreston persona pa kryer hetime përkatëse dhe kjo është mungese profesionalizmi”, u shprehën avokatët.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga blutë e Vlorës, në banesën e 60-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu dhe municion luftarak. /ZËRI