
TIRANË- Vjen reagimi i parë pas denoncimit të bërë në dokumentarin e ZËRI-t, ku media jonë zbuloi fenomenin e shitjes së drogës nëpër taxi. E para kompani që reagoi është ajo e "Lux Taxi", në të cilën, shoferi jo vetëm që gjen drogë, por edhe e konsumon me bashkëpunëtorin e "ZËRI-t". Në reagimin zyrtar, kompania bën me dije se me materialin janë njohur vetëm ditën e djeshme, e se shoferin e kanë pushuar para 4 javësh për konsum duhani brenda në makinë dhe moskorrektesë me pagesat. Këtë të fundit, shoferi e pranonte vetë në bisedën me bashkëpunëtorin, duke i treguar se paratë e kompanisë i kishte harxhuar duke blerë kokainë dhe duke paguar vajza për marrëdhënie seksuale.
Në fund, kompania thekson se është e hapur që të bashkëpunojë me ligjin dhe nxit klientët që të denoncojnë çdo sjellje të gabuar të taksistëve.
REAGIMI I PLOTË NGA LUX:
Më datë 26 shkurt 2024, jemi vënë në dijeni të një emisioni të prodhuar nga media "Zëri" në të cilin përfshihet dhe kompania "Lux Taxi Albania". Në këtë emision investigativ, një individ, ish-punonjës i kompanisë, në pozicionin shofer, kryen aktivitete të turpshme, të jashëligjshme brenda mjetit që ka në përdorim, në pronësi të kompanisë. Fillimisht duam të nënvizojmë që kompania nuk asociohet në asnjë lloj mënyre me këtë individ e për më tepër nuk ka asnjë lloj informacioni për veprimtaritë e tij kriminale. Vlen të theksohet që ky punonjës është pushuar nga puna, jo më pak se 4 javë, nga publikimi i këtij investimi për mos korrektesë në pagesa dhe përdorimin e duhanit brenda mjetit. Gjithashtu duam të shpjegojmë që asnjë individ i papërgjegjshëm dhe i orientuar drejt fitimit të shpejtë nuk mund të cënojë imazhin e një kompanie të ngritur dita-ditës me përkushtim dhe seriozitet, për t'i shërbyer sa më mirë klientëve dhe shoqërisë. Këta individë nuk janë dhe nuk do jenë kurrë as imazhi dhe as fytyra e kësaj kompanie. Ata janë vetëm subjekte të ligjit dhe për ligjin me të cilin kompania jonë, do të bashkëpunojë për t'i vënë përpara drejtësisë. Duke qenë falenderues ndaj çdo informacioni që referon individ të tillë, kompania Luc, njëherësh bën thirrje për kujdes pasi përmendja e emrit të kompanisë tonë, për raste sporadike individësh cënon imazhin dhe punën e kompanisë dhe i shërben mosrespektimit të rregullave të një tregu të lirë. Duke falenderuar gjithashtu mijëra klientë që shërbejnë çdo ditë, me seriozitet dhe integritet, ftojmë këto që mund të hasi në veprimtari të jashtëligjshme brenda mjeteve të kompanisë tonë të na kontaktojë. Përgjigjia e kompanisë do të jetë e menjëherëshme pasi është primare për ne kujdesi ndaj klientit dhe mbrojtja e punës së qindra njerëzve që punojnë me ndershmëri për ta mbajtur këtë kompani në nivelet, në të cilat ka arritur vetëm duke punuar fort. Të përkushtuar gjithmonë ndaj jush.
Por përveç "Lux Taxi", deri më tani nuk ka asnjë reagim nga kompanitë e tjera të kapura në shkelje në dokumentarin tonë, e aq më pak nga instancat e Policisë së Shtetit, nën hundën e të cilëve ishte krijuar një aktivitet i jashtëligjshëm./ZËRI