
TIRANË- ZËRI ka zbardhur dëshmitë e dosjes së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për inceneratorin e Tiranës. Në dosje është siguruar dëshmia e Etleva Kondit (anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit); Pëllumb Abeshi (anëtar i Komisionit për dhënien e inceneratorit, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit); Sidita Temali (anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit); Namik Simixhiu (anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që dha koncesionin për inceneratorin e Tiranës) dhe Taulant Tusha drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës. Më poshtë në artikullin e përpiluar nga ZËRI, duket se bashkarkisht të gjithë të pyeturit kanë probleme me "kujtesën" dhe nuk e mbajnë mend sesi kanë rënë në kontakt me kërkesën për ndërtimin e inceneratorit nga koncesionari. Etleva Kondi, e pyetur për komunikimet që ka patur me Klodian Zoton, deklaroi se nuk i kujtohej se përse ka komunikuar me të, por shtoi se nuk ka patur asnjë konflikt interesi në dhënien e informacioneve, pasi ato kanë qenë publike. Më shumë detaje ka dhënë anëtarja e Komisionit të dhënies së koncesionit, Sidita Temali. Ajo ka dhënë me detaje parregullsitë e procesit, edhe pse vetë është shprehur disa herë se ka dalë kundër, por qëndrimi i saj ka qenë në minorancë, ndaj edhe nuk është marrë parasysh. Sipas saj, dosja e inceneratorit të Tiranës është ndjekur me shumë kujdes nga kryetarja e Komisionit dhe punonjësit e saj, pra Valbona Ballgjini, Alba Thoma dhe Bledar Karoli.
"Ajo deklaron se kontratën koncesionare ua ka sjellë Komisionit Karoli dhe ju është lënë vetëm 30 minuta kohë për të konkluduar lidhjen e saj. Ajo deklaron se nuk i është lënë as koha e nevojshme për ta lexuar. Kontrata është nënshkruar jashtë orarit zyrtar si dhe i ishte thënë se ishte porosi e ministrit Lefter Koka, që kontrata duhej firmosur sa më shpejt dhe pa kundërshtime. E pyetur në lidhje me faktin se pse në studimin e fizibilitetit Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka llogaritur përfitimin që shoqëria do të kishte nga të tretët, duke mos llogaritur zërin “inerte”, ndërkohë që tek baza ligjore që ka përmendur për hartimit e studimit të fizibilitetit është përmendur VKM, ndërkohë që edhe për ndërtimin e veprës nga shoqëria koncensionare parashikohej ndërtimi i landfillit për intertet, ajo deklaron se nuk di ta thotë pse nuk është përllogaritur përfitimi që do të kishte shoqëria koncensionare nga të tretët, në lidhje me zërin “inerte” por kujton që Klodian Zoto ka qenë shumë i interesuar që të përfshihej “zëri i interteve” në kontratë,"-shkruhet ndër të tjera në dosjen e SPAK.
PJESË NGA DOSJA E SIGURUAR NGA ZËRI:
Më datë 23.08.2017 shtetasi Florian Pustina nëpërmjet email-it të tij florian.pustina@***** i dërgon email Klodian Zotos me përmbajtje: Ok Klodi-së bashkë me komentet e Etlevës. Nuk dua të shkruaj bashkim operatorers consortium sepse mund të na sjelli ndonjë problem ligjor. Ky nuk është bashkim operatoresh i mirëfilltë. Florian Pustina.
Pra, këto dokumente kanë të bëjnë me formën juridike që do të kishte shoqëria fituese e koncesionit. Për këtë gjë Klodian Zoto merr konsulentë nga anëtarja e Komisionit të dhënies së Koncesionit, Elteva Kondi dhe studioja ligjore e Florian Pustinës, të dy e këshillojnë që të mos paraqitet si bashkim operatorësh pasi mund të kishte probleme me ligjin në të ardhmen.
24.08.2017, Ministria e Mjedisit ka dërguar pranë APP “formularin e fituesit”.
ETLEVA KONDI
Më 31.08.2017 është lidhur kontrata nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë propozuese “Integrated Energy” si dhe është bërë formulari i sigurimit të kontratës tek shoqëritë e sigurimit nga shoqëria koncensionare.
Etleva Kondi në lidhje me mënyrën sesi ishte vendosur në dispozicion dokumentacioni që ka dorëzuar shoqëria “Integrated” si propozim i pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit ajo deklaron se është njohur me dokumentacionin nga punonjësit e Ministrisë së Mjedisit por nuk e di se cili person ia ka vendosur këtë dokumentacion në dispozicion. Po ashtu, ajo deklaron se nuk e di sesi është komunikuar gjatë procedurës me shoqërinë propozuese në lidhje me kërkesat e ndryshme që ka patur Komisioni i dhënies së koncesionit por siç ishte parashikuar edhe në urdhërin për ngritjen e komisionit të dhënies së koncesionit kanë qenë dy drejtori nga Ministria e Mjedisit, të cilat kanë qenë ura lidhëse nëpërmjet Komisionit të dhënies së koncesionit dhe MM. Kanë qenë Bledar Karoli, përgjegjës i sektorit të Prokurorimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Alba Thoma me detyrë drejtoreshë juridike e Ministrisë së Mjedisit. E pyetur më lidhje me emailin që ka përdorur, ajo deklaron se emaili i saj personal ka qenë dhe është [email protected] dhe në këtë email ka akses vetëm ajo. E pyetur në lidhje me komunikimet me Klodian Zoton, ajo deklaron se nuk i kujtohet se përse ka komunikuar me të, por nuk ka patur asnjë konflikt interesi në dhënien e informacioneve, pasi ato kanë qenë publike.
PYETJET
E pyetur se përse në studimin e fizibilitetit që kishte dorëzuar shoqëria propozuese tek Autoriteti Kontraktor nuk e ka llogaritur zërin “inerte”, ajo tha se analiza financiare është hartuar nga shoqëria propozuese dhe se nuk i ka nxjerrë Komisioni këto të dhëna financiare, por thjesht është bërë një shqyrtim i përgjithshëm. E pyetur a ka ndryshime në studimin e fizibilitetit që ka paraqitur shoqëria propozuese, ajo deklaron se nuk ka ndryshime por Komisioni thjesht ka miratuar atë që ka paraqitur shoqëria propozuese.
PËLLUMB ABESHI
Anëtari i Komisionit të dhënies së Koncesionit, Pëllumb Abeshi në mënyrën sesi i ishte vendosur në dispozicion dokumentacioni që ka dorëzuar shoqëria propozuese “Integrated” si propozim i pakërkuar, ai thotë se nuk e mban mend. Ai deklaron se komisioni është asistuar nga Sektori i Prokurorimeve i Ministrisë së Mjedisit në rolin e Sekretarisë teknike nga Bledar Karoli dhe Alba Thoma. Ai pranon se nuk ka pasur një studim fizibiliteti të ri dhe se komisioni nuk ka bërë ndryshime nga ato që ka dorëzuar shoqëria propozuese tek Ministria e Mjedisit. Kjo, pasi nuk është llogaritur përfitimi që do të kishte kompania nga “të tretët” dhe “inertet”.
SIDITA TEMALI
Anëtarja e Komisionit të dhënies së koncesionit tha se dokumentat i kishte marrë nga shoqëria propozuese në Ministrinë e Mjedisit. Dosja i është dhënë dorazi me CD, për shkak të volumit të madh të dokumentacionit, nga punonjësit e Ministrisë së Mjedisit që sipas saj duhet të jenë ose Valbona Ballgjini ose Bledar Karoli. Po ashtu edhe dokumentacionin ia kanë nisur me email, por sërish nuk e mban mend se cili prej tyre. Ajo deklaron se ka qenë kundër dhënies së bonusit që projekti të vlerësohej me pikët maksimale, pasi nuk ishte llogaritur vlera e shpronësimit dhe ka propozuar që për analizën financiare të mos i jepeshin pikët maksimale. Po ashtu, shton se ka ngulur këmbë që projekti t’i shkonte me shkresë zyrtare Bashkisë Tiranë dhe projekti të kalonte me vendim të Këshillit Bashkiak pasi projekti ishte bërë me një garanci që do jepte bashkia Tiranë për sasinë e mbetjeve për ton që do shkonin tek Koncesionari dhe nëse nuk arrihej vlera minimale, Bashkia Tiranë do duhet të paguante diferencën e sasisë së mbetjeve të garantuara. E pyetur në lidhje me komunikimin që ka mbajtur, ajo deklaron se komunikimin me shoqërinë propozuese e ka pasur Kryetarja e Komisionit dhe punonjësit, pra Valbona Ballgjini, Alba Thoma dhe Bledar Karoli. E pyetur nëse Komisioni ka mbledhur ndonjë raport për bonusin prej 8%, ajo thotë se nuk ka asnjë dijeni të ketë nënshkruar ndonjë raport. Ajo deklaron se gjatë procedurës ka kërkuar një sqarim më të hollësishëm të gjithë komponentëve që përbënin llogaritjen e kostos së depozitimit të një ton mbetje në impianin e propozuar, por pavarësisht se shoqëria propozuese nuk ka sjellë sqarimet përkatëse, ka qenë e detyruar pasi shumicën e kohës ose pothuajse gjithmonë ka qenë në minorancë dhe nuk kishte fuqinë e duhur që të ndalonte komisionin për të vijuar punën më tej. Po ashtu, deklaron se gjatë procedurës ka mbajtur qëndrim me vërejtje, observacion. Bledar Karoli, me mail ka sjellë procesverbalin e vlerësimit me 100 pikë dhe në të gjithë vetëm sa e kemi nënshkruar. Procesverbali i vlerësimit i ka ardhur i gatshëm nga Etleva Kondi. Kjo e fundit ka qenë shumë e angazhuar në disa faza të dhënies së koncesionit, konkretisht: në momentin e dhënies së bonusit, pasi ajo ka dashur që kompania të vlerësohej me pkët maksimale, ndërsa ajo e ka kundërshtuar tek pjesa e vlerësimit të ofertës. E pyetur nëse janë reflekuar konstatimet e Avokaturës së Shtetit, ajo deklaron se jo, por janë shtuar vetëm disa mendime në ditën që është nënshkruar kontrata. Ajo deklaron se anëtarët e Komisionit: Valbona Ballgjini, Etleva Kondi, Bledar Karoli dhe Alba Thoma i kanë thënë se duhej bërë po atë ditë lidhja e kontratës, në të njëjtën ditë që ka kthyer përgjigje Avokatura e Shtetit. Ajo deklaron se kontratën koncesionare ua ka sjellë Komisionit Karoli dhe ju është lënë vetëm 30 minuta kohë për të konkluduar lidhjen e saj. Ajo deklaron se nuk i është lënë as koha e nevojshme për ta lexuar. Kontrata është nënshkruar jashtë orarit zyrtar si është i ishte thënë se ishte porosi e ministrit Lefter Koka, që kontrata duhej firmosur sa më shpejt dhe pa kundërshtime. E pyetur në lidhje me faktin se pse në studimin e fizibilitetit Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka llogaritur përfitimin që shoqëria do të kishte nga të tretët, duke mos llogaritur zërin “inerte”, ndërkohë që tek baza ligjore që ka përmendur për hartimit e studimit të fizibilitetit është përmendur VKM, ndërkohë që edhe për ndërtimin e veprës nga shoqëria koncensionare parashikohej ndërtimi i landfillit për intertet, ajo deklaron se nuk di ta thonë pse nuk është përllogaritur përfitimi që do të kishte shoqëria koncensionare nga të tretët, në lidhje me zërin “inerte” por kujton që Klodian Zoto ka qenë shumë i interesuar që të përfshihej “zëri i interteve” në kontratë.
NAMIK SIMIXHIU
Deklaron se Autoriteti Kontraktor ka qenë Ministria e Mjedisit, e cila ka administruar dokumentacionin e dorëzuar nga shoqëria propozuese. Dokumentacioni i është vënë në dispozicion nga Ministria e Mjedisit. Si ka komunikuar me kompaninë “Integrated Energy BV”? Ai deklaron se ka qenë kryetarja e Komisionit e cila ka përcjellë kërkesa që ka pasur Komisioni pranë sektorit të Prokurimit në Ministrinë e mjedisit, i cili më pas ka konkretizuar kërkesat e Komisionit në disa shkresa. I pyetur në lidhje me hartimin e studimit të fizibilitetit që ka bërë Komisioni dhe sesi janë nxjerrë të dhënat, ai deklaron se nuk i kujtohet sesi mund të jenë llogaritur dhe nxjerrë ato vlera nga Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka lllogaritur përfitimin që shoqëria koncensionare do të kishte nga të tretët dhe nga inertet. Ai deklaron se nuk di ta thotë se pse.
TAULANT TUSHA
Anëtar i Komisionit të dhënies së koncesionit, Tusha deklaron se dokumentacionin që shoqëria propozuese ka dorëzuar si propozim i pakërkuar në Ministrinë e mjedisit ia kanë vënë në dispozicion anëtarët e komisionit që kanë qenë në cilësinë e përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit. I pyetur në lidhje me mënyrën sesi ka komunikuar me shoqërinë propozuese në lidhje me kërkesat e ndryshme që ka pasur Komisioni i dhënies së koncesionit. Ai deklaron se çdo kërkesë e Komisionit është kaluar më parë tek Kryetarja e Komisionit, Valbona Ballgjini dhe komunikimi është mbajtur nga punonjësit e Ministrisë së Mjedisit. Për studimin e fizibilitetit ai deklaron se nuk e mban mend sesi kanë dalë këto të dhëna që janë në studim.