TIRANË- Është mbajtur sot në Tiranë, Konferenca Kombëtare “Cilësia e drejtësisë”, ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, u shpreh se një një vendim gjyqësor i pa kuptuar, është një konflikt i hapur nesër, ndaj këmbënguli se puna e drejtësisë nuk mund të matet vetëm me statistika.
“Një vendim i pakuptueshëm është një konflikt i shtyrë për nesër”, nënvizoi ai. Sadushi u shpreh se shpejtësia pa koherencë dhe pa arsyetim të qëndrueshëm përbën rrezik për sigurinë juridike dhe besimin e publikut.
“Cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes. Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Ngarkesa dhe prapambetja janë realitete që nuk i shmangim lehtë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm”, theksoi ai.
Gjatë konferencës, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se Shqipërisë i duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, si dhe asistentë ligjorë për ta.
Gonzato tha gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri po përballen me sfida të vështira këto kohë, pasi sipas tij, ata janë të detyruar që të punojnë nën presion dhe me një numër të madh dosjesh.
“Viti që kemi përpara ëshë një vit i rëndësishëm për drejtësinë. Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe e di se kjo është e vështirë të prodhojë cilësi.
Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Të gjitha vendet bosh duhet të plotësohen. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë tepër të rëndësishëm që drejtësia të jetë më cilësore. Kjo është thelbësore për reformën në drejtësi”, tha Gonzato gjatë fjalës së tij. /ZËRI