
LIBRAZHD- Ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël në rrethe të ndryshme të vendit tonë është shoqëruar me problematika jo vetëm për mjedisin por edhe për banorët. Grupet mjedisore ankohen se lejet e shumta koncensionare për HEC-e, të dhëna brenda territorit të parkut përbëjnë rrezik për florën, faunën dhe ekosistemin e tij; ndërsa banorët vendas protestojnë me forcë kundër ndërtimit të tyre, pasi thonë se hidrocentralet kërcënojnë furnizimin me ujë të fushave, shtëpive dhe kopshteve të tyre.
Së fundmi një problematikë mjedisore është ngritur nga vetë drejtori i zonave të mbrojtura në Librazhd, Fatmir Brazhda. Në postim në rrjetin social Facebook, Brazhda shprehet se zalli i Rrapunit, përroi që buron nga Shebenika është duke “vdekur” për pikën e ujit.
“Zalli i Rrapunit në kuotën e tij më të ulët të prurjeve ujore. Shkaqet kryesore lidhen me ndryshimet klimatike, kur gjatë dimrit nuk pati mjaftueshëm reshje dëbore dhe ngrica dhe si pasojë kanë shteruat burimet ujore dhe akumulimet e brendshme nëntokësore! Temperaturat e larta pothuajse po rriten çdo vit nga 1-2 gradë celsius, duke ndryshuar krejtësisht klimën dhe sjelljen e bimëve apo dhe të botës shtazore. E ardhmja është zymtë, lufta më e madhe do jetë lufta për UJË, për vetë faktin se ndryshimet klimatike po ç'orientojnë të gjithë ekulibrat ekologjik”, shkruan zyrtari i bashkisë.
Por edhe pse drejtori i zonave të mbrojtura në Librazhd, deklaron se shkak i problematikës janë ndryshimet klimatike, ish-kryebashkiakja e Prrenjasit, Miranda Rira ka hedhur akuzat se shkaku kryesor është bërë ndërtimi i hidrocentralit në atë zonë. Sipas saj HEC-i merr gjithë ujin e këtij lumi duke e lënë në thatësire.
"Shkak kryesor i tharjes është HEC i ndërtuar aty! Të gjithë e dimë se kush e ka dhe kush e lejoi atë hidrocentral aty dhe as emrin nuk guxojnë t'ia përmendin. E shkatroi babëzia atë zonë dhe ato fshatra, ku kalon kjo degë e Shkumbinit,"-komenton ajo në postin e Fatmir Brazhdës.
Aktualisht sipas institucioneve vendore dhe qytetarëve në zonën në hyrje të parkut janë ndërtuar 4 HEC-e që janë në gjendje pune ndërsa 5 HEC-e të tjerë janë në ndërtim e sipër dhe kanë hapur skarpatet. HEC-et që janë në hyrje të zonës së mbrojtur Rapuni 1 dhe 2 që prekin parkun Shebenik-Jabllanicë por edhe parkun e Kuturmanit kanë tharë një degë të lumit Shkumbin ndërsa po shkatërrojnë ekosistemin sipas ekspertëve./ZËRI