ITALI-Porti i Xhenovës është nyja kryesore e një trafiku droge që furnizon tregjet e qyteteve italiane, por edhe ato të Europës Veriore. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për portin më të madh të Italisë për nga hapësira tokësore, ujore dhe numri i punëtorëve të përfshirë dhe pikërisht për këtë arsye ai është shumë tërheqës për organizatat kriminale, ku mbërrijnë anije të mbushura me mijëra kontejnerë.
Çdo vit, nga porti i Xhenovës kalojnë rreth 2.8 milionë kontejnerë. Për kontrolle përzgjidhet afërsisht 5 për qind e tyre. Droga fshihet në vendet më të paimagjinueshme, si në banane prej qeramike, në arra kokosi dhe në tulla.
Kontrolli
Hapi i parë i kontrollit kryhet në postin e skanerit të Agjencisë së Doganave: nga kompjuteri, ku operatorët mund të shohin brenda kontejnerëve dhe të identifikojnë anomali të mundshme, si një çantë që nuk duhet të jetë aty ose diçka e fshehur mirë në të çarat metalike. Në këto raste aktivizohet alarmi i Guardia di Finanza-s dhe i Agjencisë së Doganave. Në një rast lënda e paligjshme u gjet brenda një çante dhe vinte nga Kolumbia: çdo pako droge kishte në ambalazh një “stemë” që identifikon llojin dhe origjinën e organizatës kriminale. Raste të tilla në port janë të shumta.
“Kohët e fundit kemi sekuestruar qindra kilogramë drogë, veçanërisht kokainë, por ndodh të gjejmë edhe heroinë. Kemi konstatuar gjithashtu ngarkesa me droga sintetike. Droga gjendet edhe në det, e hedhur para se kontejneri të mbërrijë në port”, shpjegon nënkoloneli Massimiliano Zechender, ish-komandant i Grupit II të ‘Guardia di Finanza’ në Xhenova.
Po në cilën rrugë të trafikut të lëndëve narkotike bën pjesë porti i Xhenovës?
“Rrugët e nisjes janë pothuajse gjithmonë nga Amerika e Jugut, në veçanti nga Kolumbia dhe Ekuadori”, shpjegon nënkoloneli Zechender.
Po cilat janë destinacionet e këtyre ngarkesave dhe cilat organizata kriminale i lehtësojnë këto trafikime? Këtë e shpjegoi Prokurori i Përgjithshëm i Xhenovës, Nicola Piacente: “Zakonisht bëhet fjalë për transporte që menaxhohen drejtpërdrejt nga organizatat kriminale kalabreze ose nga ato shqiptare. Aleanca të mirëfillta brenda një ‘pax criminale’.”
Më pas nënkoloneli Zechender shton: “‘Ndrangheta ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbarë botën, jo vetëm në portin e Xhenovës. Edhe këtu kemi konstatuar raste ku persona të lidhur me të kanë lehtësuar nxjerrjen e drogës nga porti. Droga që nuk arrijmë ta kapim është e destinuar kryesisht për tregun ilegal të Milanos – që ka kërkesën më të madhe – për Europën Veriore, si dhe për qytete të tjera, përfshirë vetë Xhenovën.”