
TIRANË- Ermes Hoxhalli u vendos në pranga pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi në të gjithë sistemin arsimor në vend, duke përfshirë edhe “kupolën” e Ministrisë së Arsimit. Hetimi për zbardhjen e mashtrimi u shtri edhe në zyrtarë të arsimit, mes tyre Valbona Lamaj, e cila është pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit. Nga hetimet rezulton se 'Klea Rama', personazhi që 'fshihej' Hoxhalli, i dërgonte e-mali zv.ministres, mësueses së anglishtes në gjimnazin “Qemal Stafa” e përzgjedhur me votim si drejtoreshë kabineti e projektit “Lets talk about US”.
Në një intervistë për Top Channel, Lamaj ka hequr përgjegjësitë nga vetja, duke kërkuar që Ministria duhet të dalë hapur dhe të tregojë si qëndron e vërteta, pasi siç tregon zyrtarja e arsimit është Ministria, ajo që i ka kontrolluar në vlerësime. Ajo më tej tregon se u zgjodh në rye të projektit me në një takim zoom, ku shorti u hodh 'live'. Sa i përket mashtrimit, Lamaj shprehet se nuk kishte vend për dyshime pasi mësuesit pas vlerësimit merrnin certifikatë nga ministrja me vulë.
“Unë kam qenë çdo ditë në punë dhe nuk kisha procedim penal në asnjë moment. Janë zbuluar të dhënat e mia, Ministria e Arsimit duhet të flas. Kush na mbron ne? Duhet të më mbronin që në fillim. Ministria ka qenë në projekt hap pas hapi. Ministria na ka kontrolluar në vlerësime. A e dini që vetëm në një seancë zoom-i ka pasur 15 persona mbikëqyrës si kryhej ky proces? Unë kam një detyrim para prindërve, para nxënësve. Duhet të dalin hapur e të na thonë si është e vërteta. Kemi qënë 68 koordinatorë dhe të gjithë prisnim mirënjohje, jemi lodhur aq shumë. Të gjithë nxënësit morën kohë nga matura shtetërore. Kush e mban koston e tyre? Kush e mban koston e këtij shqetësimi tim psikologjik?”, u shpreh Valentina Lamaj- mësuese. Projekti i urdhëruar të niste që në shtator, është zbatuar në 68 gjimnaze nga veriu në jug të Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit ku janë angazhuar qindra maturantë gjatë një viti shkollor. Një punë jashtë orarit mësimor e pavlerë, pasi projekti rezultoi që ishte një gënjeshtër. Si mund të dyshonim unë dhe nxënësit kur mësuesit pas vlerësimit merrnin certifikatë nga ministrja me vulë? Projekti gjatë gjithë kohës ishte i mbikëqyrur. Drejtuesja e ZA së Durrësit ka hedhur shortin live në zoom. Janë komisione që janë ngritur. Këto janë raporte që vinin nga Ministria e Arsimit!”, tha Lamaj.
Ermes Hoxhalli përdorte identitetin 'Klea Rama'
Identiteti i rremë i krijuar në emrin Klea Rama, si mbesa e kryeministrit ishte një presion i madh për realizimin e projektit deklaron mësuesja Lamaj. Ndërkaq zbulon pamundësinë e komunikimit verbal me të.
“Komunikimi i vetëm i yni ka qenë nëpërmjet Whatsapp-it. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë zë. Edhe kur kam patur për ta telefonuar në Whatsapp, pasi numër nuk kemi patur, nuk është përgjigjur asnjëherë. Por gjithmonë unë e 68 koordinatorët në të gjithë Shqipërinë kemi punuar jashtë orarit mësimor, punë të papaguar. Nga kjo punë kam kërkuar dorëheqjen por s’më është pranuar. Duke pasur atë pozicion emri të “mbrojtur” bëri që shumë e morën të mirëqenë dhe na thoshin “e dini kush është? Nga vjen ky projekt?! Pra një flluskë sapuni në fund”, u shpreh mësuesja.
“Let’s talk about US” filloi si një projekt informues për universitetet amerikane, tregon më tej mësuesja e anglishtes, por fazat u shtuan deri edhe në kryerjen e formatit të provimeve të maturës në platforma digjitale zoom për përzgjedhjen e maturantëve më të mirë,
“Nxënësit kanë konkurruar me projekte, kanë bërë një konkurs për ese më të mira, dhe më pas kanë bërë në zoom provime të maturës shtetërore që të zgjidhnin se në cilët nga universitetet do të studionin”, tha ajo.
I arrestuari Ermes Hoxhalli u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës, ku edhe deponoi se ishte thjesht një mik i “Klea Ramës”, por të gjitha të dhënat e gjetura në telefonat dhe në laptopin e tij, treguan të kundërtën. Sipas dokumentit të siguruar nga “BoldNeës”, në pajisjet e tij kompjuterike është gjetur fotoja e këngëtares ameriakane, Gracie Abrams, por edhe logo të institucioneve që përdoreshin për certifikatat që shpërndante përmes projektit “Let’s talk about US’.
Hetimet vijojnë pasi nuk përjashtohet mundësia që Hoxholli të ketë pasur edhe persona të tjerë që e kanë ndihmuar në "perfeksionimin" e kësaj skeme mashtrimi. Sa i përket institucioneve, ende nuk ka akoma një përgjigje lidhur me pyetjet që ZËRI i dërgoi zyrtarisht via email për të zbuluar sesi kishin rënë pre e skemës./ZËRI