
TIRANË- Poshtërimi dhe ‘demaskimi’ e vajzave që u bëhet gjyqi publik nëpër grupe e rrjete sociale dhe që u vendosen tarifa për orë pune si të ishin mjete, vijon ende. Pas shpërbërjes së grupit AlbKings, të cilët janë rikthyer edhe pse me dy kanale private, ZËRI ka zbuluar një tjetër ‘vend të errët’ me emrin “Shqipet 87 Meme”, ku mblidhen mbi 7 mijë shqiptarë që njësoj si ‘thashethemexhiet’ e lagjeve vendosin etiketa mbi figurat e vajzave të cilat mund të jenë të mitura, adoleshente apo edhe moshë madhore dhe që kanë pasur eksperiencat e tyre personale.
Megjithatë, ndryshe nga ‘gratë e lagjes’, fjalët e të cilave mund të shkaktojnë dëm të kufizuar në një rreth të ngushtë shoqëror, ajo çfarë bëjnë këto lloj grupesh është denigrimi i një pjese të madhe të shoqërisë që presim të jenë ardhmja e këtij vendi, mjeket e të ardhmes, mësueset e brezave të rinj apo edhe ato që mund të mbushin ekranet dhe poltronet në fushën e drejtësisë.
Pa u menduar dy herë, djem që për fuqi kanë tastierën, nisin profile vajzash të ndryshme me emër, mbiemër dhe video nëse në ndonjë moment kanë arritur të kenë kontakt fizik me to dhe i hedhin në ‘treg’.
“Numër k*** në Tiranë,”- thuhet në një prej mesazheve.
“Kjo rri në ***, punon në *****, e kam ** unë para një muaji,”- vijon mesazhi tjetër që pason sërish me foton e vajzës në fjalë dhe numrin e saj të celularit.
Nga ky moment, gjithçka e merr historia!
Ajo që futet online, nuk fshihet më dhe për pasojë kemi vajza të damkosura moralisht, që vuajnë më pas nga vështirësia e të krijuarit një marrëdhënie, e të pasurit besim tek një partner apo mik në të ardhmen.
ZËRI zotëron materiale ku përfshihen dhe personazhe publikë, por ka vendosur të mos i publikojë për momentin, qoftë edhe të censuruara, përsa kohë nuk i ka faktuar nëse janë të vërteta apo të montuara.
Edhe materialet që shihni më poshtë janë totalisht të censuruara, por tregojnë fenomenin që po ndodh përpara syve të autoriteteve. Askush nuk ka marrë masa, ndërsa numri i të abonuarve në kanal sa vjen e shtohet.
Kush qëndron pas këtyre profileve?
Kryesisht ish-të dashur të vajzave që pas ndarjes preferojnë të mos kenë as respektin minimal për to dhe u publikojnë çdo të dhënë private, vajza që kanë për shënjestër një tjetër vajzë, fenomen i njohur ndryshe si ‘slutshaming’, si dhe djem të frustruar e të inatosur nga fakti që nuk kanë arritur të kijojnë afrimitet apo që janë refuzuar nga vajzat në fjalë.
A duhet të mbajnë përgjegjësi këta njerëz për dëmin që i shkaktojnë shoqërisë apo duhet të presim vetëvrasjet e radhës?!
ZËRI është media e parë në Shqipëri që ka mundur të investigojë këto grupe, përmbajtjen e palejuar të që shpërndahet në to dhe rrezikun që i kanoset të gjithë shoqërisë.
Disa muaj më parë, një bashkëpunëtor i ZËRI-t na mundësoi aksesimin e disa grupeve në rrjetin social "Telegram" dhe publikuam skandalin e grupeve me 55 mijë anëtarë, ku çdo orë të ditës shpërndahej material pornografik, porositen baste, kërkohen punonjëse seksi dhe eskorta, duke treguar hapur një anë të errët të shoqërisë ku jetojmë. Nëtetor, pas publikimit të skandalit nga ZËRI nisn dhe hetimet. Gazetarët e ZËRI-t u paraqitën pranë ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Tiranë, ku dorëzuan të gjitha materialet që posedojnë, të marra nga këto grupe. E gjitha me qëllim që keqbërësit të vihen para përgjegjësisë ligjore lidhur me aktet që kryejnë, e më pas që i xhirojnë dhe më pas që i shpërndajnë në rrjet për persona të tjerë.