
TIRANË-Gjykata e Tiranës ka dënuar me 55 vite burgim vrasësit e biznesmenit Edmond Papa. Përkatësisht Andrew Bode, i dënuar me 30 vite burgim, dhe Albano Velo i dënuar me 25 vite burgim. Trupa gjykuese zbatoi kërkesën e Prokurorisë, që kishte kërkuar të njëjtën masë dënimi për dy të akuzuarit.
Sipas akuzës së Prokurorisë së Tiranës, Andrew Bode dhe Albana Velo kanë kryer vrasjen më 16 dhjetor 2022 në zonën e Selitës, teksa 49-vjeçari Papa po konsumonte kafe në orët e pasdites.
Si u ekzekutua Edmond Papa?
Biznesmeni u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku” Tiranë. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra nga plumbat. Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje.
Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë. Dyshohet se saga e hakmarrjes mes fisit Kalemi dhe grupit që drejtohej nga biznesmeni Papa, ka nisur për shkak të përplasjeve që kanë të bëjnë me trafikun e drogës.
Andrew Bode ishte miku i ngushtë i Sadikajt, ndërkohë që Albano Velo, 30-vjeç është kunati i viktimës. Autori i dyshuar, Albano Velo është tradhtuar nga disa kamera sigurie, të cilat e kanë fiksuar teksa ai mbante nën vëzhgim Edmond Papën./ZËRI