
GREQI- Kur kanë kaluar disa ditë nga atentati mafioz që la të vdekur 32-vjeçarin shqiptar Roan Brahimi, alias Sidorel Prendi, policia në vendin fqinj është e bindur se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh, që i riu ka pasur në vendin e lindjes. Mediat greke raportojnë se grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se ngjarja ka ndodhur për shkak të historive që lidhen me të shkuarën kriminale të Brahimit në Shqipëri, dhe në shtetin fqinj ai nuk ka pasur asnjë dosje të hapur.
Sipas raportimeve të mëparshmë nga mediat greke, në dijeni të vizitës së Brahimit në Greqi, nuk ka qenë as partnerja e tij Katerina Beqo, me të cilën kishte një djalë 7-vjeçar. Kjo tregon se 32-vjeçari shqiptar ishte i kujdesshëm për të mos u ekspozuar ndaj armiqve të tij, ndërsa prej kohësh jetonte në Dubai, dhe njihej për miqësinë me disa personazhe të botës së krimit, që e kanë zhvendosur aktivitetin e tyre nga Shqipëria në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Brahimi dyshohet se bënte jetë të dyfishtë, pasi dhe një Shqipëri ka familje, grua dhe fëmijë. Emri i 32-vjeçarit shqiptar është lakuar në disa ngjarje kriminale të ndodhura në zonën e Veriut të Shqipërisë, ndërsa cilësohej si kundërshtar i Ervis Martinajt, bosit të zhdukur të lojërave të fatit.
Roan Brahimi ishte duke udhëtuar mbrëmjen e së enjtes me një makinë luksoze Mercedes Benz A Class, nën shoqërinë e partneres së tij, Katerina Beqo, kur drejt tyre u qëllua me breshëri plumbash. Dy plumba kanë rezultuar fatale për Brahimin, një plumb që e kapi në kokë e një tjetër në trup.
Sipas medias greke autorët kanë pritur momentin e duhur për të vrarë 32-vjeçarin pasi nuk kanë dashur që të rrezikojnë djalin e tij. Sapo 7-vjeçari ka dalë nga makina dhe i është bashkuar fëmijëve në park për të luajtur, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt makinës ku ndodhej viktima.
Autorët e vrasjes së Roan Brahimit i kishin rezervuar atij edhe vendin e parkimit. Përveç faktit që ata kishim mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë gruan dhe fëmijën e tij në Greqi, në pritje që Brahimi të bashkohej me ta, autorët ishin disa hapa para edhe në ekzekutimin e ndodhur mbrëmje ne së enjtes.
Kush ishte Roan Brahimi?
Roan Brahimi është një emër i njohur për Policinë Shqiptare dhe dyshohet se është i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale që kanë prekur njerëzit e afërt të biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, i cili edhe vetë rezulton i zhdukur pa gjurmë.
Së pari, ai ka qenë i dyshuar për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Milotit ku mbeti i vdekur kushëriri i parë i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij. Policia e Shtetit e kërkoi për ta marrë në pyetje, por ai rezultoi se nuk ndodhej në Shqipëri.
Po ashtu, ky 32 vjeçar është kërkuar të pyetet dhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Milot pas kohë pas vrasjes së Brilant Martinaj. Krahu i djathtë i Ervis Martinaj u qëllua me breshëri arme pranë shtëpisë dhe për pasojë mbeti i plagosur rëndë, kurse shoku i tij Klisman Preçi ndërroi jetë.
Në të dy rastet, Roan Brahimi nuk u arrit të ndalohej dhe të pyetjet. Familja mohoi që ai të ishte i përfshirë në këto ngjarje sepse ndodhej jashtë shtetit.
/ZËRI