ITALI-Katër karabinierë janë vendosur nën hetim për vdekjen e 41-vjeçarit shqiptar Elton Bani, ngjarje e ndodhur më gusht të 2025, në Sant’Olcese, në afërsi të Genovas gjatë një operacioni policor, ku shqiptari u godit me armë elektrike (taser). Mediat italiane raportojnë se fillimisht, dy karabinierët që përdorën armën elektrike u regjistruan si të dyshuar për vrasje nga pakujdesia.
Por tashmë ndaj tyre rëndojnë edhe akuza për falsifikim të aktit publik, së bashku me dy kolegë të tjerë që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes gjatë ndërhyrjes. Akuza e re lidhet me mospërputhjet mes procesverbaleve të hartuara nga efektivët dhe dëshmive të dy fqinjëve okularë, të cilët do të merren në pyetje me kërkesë të prokurores Paola Calleri, e cila drejton hetimet.
Karabinierët kanë deklaruar se përdorimi i armës elektrike ishte i domosdoshëm, pasi shqiptari ishte agresiv, i kishte goditur me grushte dhe shqelma dhe ndodhej jashtë kontrollit. Megjithatë, dy dëshmitarët okularë kanë dhënë një version tjetër të ngjarjes. Sipas tyre, Elton Bani nuk ishte i armatosur dhe refuzoi të ngjitej në katin sipër për të marrë dokumentet e identifikimit.
Ata pretendojnë se në një moment 41-vjeçari u kap pas kangjellave, u rrëzua në tokë dhe më pas u godit për herë të dytë me aemë elektrike ndërsa ndodhej me fytyrë përtokë në korridor. Sipas dëshmive, ai mbante njërën dorë poshtë barkut dhe katër karabinierët nuk po arrinin ta prangosnin.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka arritur në përfundimin se ishte pikërisht goditja e fundit me armë elektrike ajo që shkaktoi arrestin kardiak fatal. Në trupin e viktimës u konstatuan gjithashtu gjurmë kokaine, e konsideruar si faktor kontribues në vdekje së bashku me goditjet elektrike.
