Aktualitet

Elvin Gokaj kandidati i tretë për kreun e SPAK: Prioritet siguria e prokurorëve, Kraja dhe Dumani nuk na kanë ndërhyrë në dosje

Prokurori i posaçëm e nisi prezantimin me profilin e tij dhe karrierën në sistemin e drejtësisë si dhe çështjet që ka hetuar

E.K
Elvin Gokaj kandidati i tretë për kreun e SPAK: Prioritet siguria e
elvin gokaj

TIRANË- Elvin Gokaj është kandidati i tretë që ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e SPAK, përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gokaj u shpreh se synimi dhe veprimtaria e tij do të fokusohet në katër shtylla kryesore.

“Synimi kryesor dhe veprimtaria ime do fokusohet në këto shtylla kryesore:

1.Në luftën e pandërprerë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

2.Në konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme.

3.Në forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe

4. Në forcimin e besimit te publiku”, tha Gokaj.

Më tej ai shtoi se, “këto prioritete përbëjnë thelbin e qasjes sime në drejtimin e SPAK dhe përfaqësojnë angazhimin tim për ta udhëhequr këtë institucion drejt një faze të re pjekurie ku profesionalizmi dhe llogaridhënia të jenë standarde të punës së përditshme”.

Ndërkohë që nëse do të marrë detyrën si drejtues i prokurorisë, Gokaj theksoi se një nga prioritetet e punës së tij do të jetë siguria e kolegëve në SPAK.

“Prokurorët janë në vijën bazë të hetimit të krimit të organizuar. Për të siguruar qetësinë e prokurorit dhe familjarëve të tij, unë angazhohem të mbështes stafin për marrjen e të gjitha masave, në mënyrë që stafi të vijojë qetësisht punën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”, tha ai. Sipas Gokajt: “Prokurorët duhet të punojnë të qetë, të mbështetur dhe të mbrojtur në çdo hap të procesit hetimor”.

Ai vlerësoi se Arben Kraja dhe Altin Dumani nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në çështjet e prokurorëve. Këtë linjë tha se do ta ndjekë edhe vetë nëse zgjidhet.

“Nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në asnjë çështje. Nuk kemi pasur asnjë ndikim nga drejtuesit e mëparshëm për çështje konkrete. Për këtë mendoj që do të jetë edhe linja ime që do t’i qëndroj”, tha Gokaj.

Sipas tij, më e rëndësishme në punën e një drejtuesi është puna në grup.

“Praktikat më të mira të punës së një drejtuesi është puna në grup. Sot pavarësisht se SPAK ka 20 prokurorë, për mendimin tim janë 20 drejtues aty sepse e ka rregulluar ligji dhe kushtetuta. Drejtuesi mund të rrijë vetëm në mbështetje të prokurorëve”, tha ai.

Poll

MOS HUMB