BULQIZË- 50-vjeçari Kujtim Dangri humbi jetën mesditën e djeshme në një galeri minerare në zonën D të Bulqizës, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri. Lidhur me ngjarjen e rëndë, policia ka arrestuar dy persona dhe ka proceduar një tjetër. Në pranga ranë dy punonjës të stafit teknik, Gasper Kola 47-vjeç, me detyrë brigadier, dhe Behar Cami 62-vjeç, me detyrë teknik teknik. Ndërkohë Remzi Pupli 67-vjeç, drejtuesi teknik i subjektit u procedua penalisht në gjendje të lirë. Nga hetimet, rezulton se 3 të akuzuarit nuk kanë marrë masat e nevojshme për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë.
Njoftimi:
Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë, në subjektin minerar ku humbi jetën dje shtetasi K. D., arrestohen 2 punonjës të stafit teknik dhe procedohet penalisht, në gjendje të lirë, drejtuesi teknik i subjektit.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësisë në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në zonën D, Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi K. D., 38 vjeç, dyshohet se, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. K., 47 vjeç, me detyrë brigadier;
B. C., 62 vjeç, me detyrë teknik, të dy banues në Bulqizë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 67 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.