
TIRANË- Katër të rinj janë vënë në prangat e Policisë së Tiranës këtë të mërkurë pasi u kapën në flagrancë duke shkëmbyer drogë në parkingun e një qendre tregtare. Përmes një njoftimi për mediat ku ka ndarë dhe pamjet, Policia bën me dije se të rinjtë e identifikuar si Demokrat Dylgjeri, Haziz Zylfa, Vladimir Kani dhe Hyxhers Mete u kapën në perferi të Tiranës duke shkëmbyer 2 qese plastike brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 16.2 kg. Në video shihet momenti kur Policia mësyn, dhe neutralizon autorët. Njëri prej tyre shihet i shtrirë në tokë, ndërsa efektivët i vendosin prangat.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë. Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, operacioni policor i koduar "Lokacioni", për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në DVP Tiranë. U kapën në flagrancë duke shkëmbyer 16.2 kg lëndë narkotike kanabis, vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohen 16.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 90 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, shuma parash dhe 5 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Lokacioni".
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. D., 32 vjeç, H. Z., 23 vjeç, V. K., 23 vjeç dhe H. M., 23 vjeç. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë, në parkingun e një qendre tregtare në periferi të Tiranës, duke shkëmbyer 2 qese plastike brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 16.2 kg.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit H. M., në Korçë, shërbimet e DVP Korçë gjetën dhe sekuestruan, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë. Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./ZËRI