Aktualitet

EMRI/ Shiti disa herë të njëjtat apartamente, pranga administratorit të firmës në Tiranë

Ai është kapur në mashtrim të paktën në 8 raste të ndryshme.

E.K
EMRI/ Shiti disa herë të njëjtat apartamente, pranga
Foto ilustruese

TIRANË- Sabri Shera, administrator i një firme ndërtimi është vënë këtë të enjte në prangat e Policisë së Tiranës pasi akuzohet se ka shitur 2 ose më shumë herë një apartament përmes kontratave fiktive. Policia bën me dije se Shera përmes mashtrimit ka fituar shuma të konsiderueshme parash. Ai është kapur në mashtrim të paktën në 8 raste të ndryshme. Dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë, e cila po e heton Sherën për akuzën e “Mashtrimit’ me pasoja të rënda dhe “Fshehja e të ardhurave”.

NJOFTIMI I POLICISË:

DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Kontrata false”. Shiti disa herë, të njëjtat apartamente, vihet në pranga administratori i firmës që ka ndërtuar pallatin. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas kallëzimeve nga disa shtetas se ishin mashtruar nga administratori i një firme ndërtimi, për blerjen e apartamenteve, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Kontrata false”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien e autorit, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasi S. Sh., banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas, me detyrë administrator i një firme ndërtimi, iu ka shitur shtetasve të ndryshëm, të njëjtat apartamente të një pallati të ndërtuar nga kjo firmë.

Në cilësinë e administratorit të firmës, shtetasi S. Sh. ka përpiluar 2 ose më shumë kontrata shitjeje për të njëjtat apartamente. Nëpërmjet kësaj veprimtarie kriminale, ky shtetas ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, në 8 raste të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda dhe “Fshehja e të ardhurave”./ZËRI

Poll

MOS HUMB