
FIER- 30 vatra zjarri janë aktive prej pesë ditësh në zonën e mbrojtur në pyllin me pisha në Pish Poro, Fier. Zëri.ai mëson se 8 mjete zjarrfikëseje me efektivë të forcave të armatosura, 50 forca mbështetëse nga Bashkia Fier si dhe dy buldozioerë po hapin rrugën për të mundësuar hyrjen e forcave operacionale në pyll.
Era e fortë ka bërë që zjarri të përhapet gjerësisht në zonë. Prefekti Lefter Shehaj është shprehur për mediat se vatrat vijojnë të jenë aktive, por janë marrë masat në mënyrë që flakët të mos cënojnë zonat e banuara.
“Falë angazhimit të strukturave operacionale është siguruar mbrojtja e banesave, njësive ekonomike, parcelave me pemëtore e ullishte në kufi të zonës pyjore. Zjarri masiv është katastrofë mjedisore jo vetëm për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme të përshkruar nga vatrat e zjarrit , por edhe për ndotjen e ambientit në të gjithë zonën e mbuluar nga tymi prej 5 ditësh,”- tha ai.