
TIRANË- “Spastrimi” do të nisë shumë shpejt nga radhët e Policisë së Shtetit. Këtë e lajmëroi vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili paralajmëroi përjashtimin e efektivëve që kanë komunikime dhe lidhje me botën e krimit. Më konkretisht, ata që kanë pasur komunikime, takime dhe aq më keq, bashkëpunim me eksponentë të botës së krimit. Në selinë e Kuvendit, Balla paralajmëroi se kishte kërkuar informacion të thelluar nga Europoli, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu. Në artikullin e mëparshëm “Zëri.ai” evidentoi paradoksin në kërkesën e Ballës. Kjo sepse personi që Balla po i kërkon informacion, konkresisht Ardi Veliu, është një nga personat që përmendet në dosjen “Metamorfoza”.
Sa i besueshëm mund të jetë informacioni që do të mbledhë; dhe a do të përmendë edhe emrin e tij në raportin që do t’i dërgojë Ballës? Megjithatë Veliu nuk është vetëm. Qartësisht në dosje përmendet edhe Rebani Jaupaj, asokohe mbante detyrën e drejtorit të Policisë së Tiranës. Emrat e tyre i ka nxjerrë Oltion Bistri, i arrestuar tashmë nga Policia.
“Zëri.ai” disponon dosjen e plotë të operacionit “Metamorfoza”, ku ish-shefi Oltian Bistri fliste për drejtuesit madhorë të Policisë
Oltion Bistri komunikon vazhdimisht me Pëllumb Gjokën. Ish-shefi i Operacionales, i tregon sesi ka hyrë ‘mik’ që të mbante fjalën e tij dhe kazinoja e Pëllumb Gjokës mos të prekej. Ai rrëfen edhe një bisedë, e bërë në vitin 2019, ku flitet për një Ardi, dyshohet se bëhet fjalë për Ardi Veliun. Bistri nuk donte t’i hiqte lojërat e fatit Pëllumb Gjokës sepse i kishte dhënë fjalën.
MESAZHET NË SKY:
Bistri i shkruan Gjokës: Ka frikë Rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke puntorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që si lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se smë ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë ti lutem rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. Se di pse ka frikë. S’do as Ardi se i thashë. Bile dhe për këtë më çau k...n. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin.
Pasi mbaron diskutimi për Ardi Veliun, përmendet kryepolici i Tiranës, kryefjala janë sërish kazinotë e paligjshme. Një natë do të bëhej kontroll, por Bistri siguroi mikun e tij se “Rebua” (Rebani Jaupi), e dinte mirë se ku ishin pikat e biznesmenit, e se nuk do të ndërhynte për t’i mbyllur, por i kërkonte që të tregonte kujdes.
Më datë 19.02.2020 ora 22.34, Oltian Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: Nesër në darkë mbylle ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet.
Më datë 20.02.2020 ora 00.00 Bistri-Gjokës: E di, por tani takova të madhin edhe më tha e shtymë për nesër në darke ndaj
Në orën 19.25 Bistri i shkruan Gjokës: Ky i fundit shkruan, tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma sna i kanë sjel emrat dhe vendet. Dr tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë ska nevojë.
Oltian Bistri kujdesej që aktiviteti i kundraligjshëm i lojrave të fatit të Pëllumb Gjokës të mos zbulohej si dhe ai të vijonte aktivitetin i qetë, në bashkëpunim me shefat e tij të Policisë. Por ky fakt penal ende nuk është vërtetuar. Bistri ndodhet pas hekurave të burgut, ndërsa Veliu dhe Jaupaj, jo! Deri në sigurimin e provave është praktikisht e pamundur që të vërtetohet implikimi i tyre në bashkëpunim me biznesmenin. Fjala e Bistrit nuk mjafton për të vërtetuar “krimin” e kryer. Sigurisht që verifikimet do të kryhen, por në këtë rast duhen bërë nga persona që minimalisht nuk kanë konflikt interesi, siç është rasti i Ardi Veliut. A mund ta nxjerrë ai veten apo kolegët dhe ata që potencialisht mund të jenë bashkëpunëtorët në krime, në listën e të përmendurve me personazhet e botës së krimit./Zëri.ai