
TIRANË- Ermal Kurtulaj, vartësi i ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili është arrestuar bashkë me zyrtarin për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian, ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. I pranishëm në seancën e zhvilluar sot, e cila u shty për në 7 giusht, Kurtulaj është shprehur se duhet të jetë patjetër në shtëpi për shkaqe familjare. Pretendimi që a ika ngritur, sipas Top Channel, ka qenë fakti që ka të ëmën e sëmurë.
“Kam nënën sëmurë, ju lutem më ndryshoni masën,”- është shprehur ai.
Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë me kërkesën e tij më 7 gusht, në orën 10:00.
Për çfarë akuzohen Beqaj e Kurtulaj?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte.
Arrestimi i Beqajt u bë në 4 korrik dhe një ditë më pas në 5 korrik GJKKO, e la në arrest me burg, pavarësisht se ofroi 50 mijë euro garanci për të marrë lirinë. Edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtuljat, u la në qeli. Ai ofroi paratë e shitjes së një Audi Q7. Në masën "arrest shtëpie" janë lënë: Gazmend Haxhia, Elton Marini, Alfred Nikollaj, Gazmend Haxhia; ndërsa "detyrim paraqitje", Bledar Leka dhe Bjona Zijaj.