
TIRANË- Debatet dhe tensionet kanë shoqëruar dhe këtë të enjte mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ku ishte sërish për të raportuar kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu në lidhje me ecurinë e institucionit për vitin 2023. Debati u rikthye sërish tek akulloret kancerogjene, të cilat deri vonë tregtoheshin edhe në Shqipëri. Për deputeten demokrate, Jorida Tabaku, kreu i KLSH-së nuk duhet ta kishte sjellë si rast tre vite më vonë. Ndërsa deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti replikoi me deputetin demokrat, Edmond Spaho duke i kërkuar këtij të fundit që të mos përhapë panik. Spaho tha se në komision po i bëhet presion KLSH-së që të mos evidentojë dhe ngrejë probleme të tjera. Një akuzë e tillë u hodh poshtë nga kreu i komisionit, Eduard Shalsi.
Debati:
Jorida Tabaku: Për mua kryetari i KLSH bëri gabim që e solli atë rast, nuk duhej diskutuar ajo pas tre viteve. Por duhej të na takonte ne ta lexonim këtë raport dhe kush ka përgjegjësitë dhe pse nuk u morën tre vite masa për këtë fenomen.
Edmond Spaho: Ne në vend që ti japim meritën që i takon KLSH -së i turremi me shpatë për të prerë kokën dhe për ta trembur politikisht që nesër të mos evidentojë dhe të ngrejë probleme të tjera. Jo më kot, kryetari i KLSH tha kam edhe gjëra të tjera për të thënë.
Blerina Gjylameti: I është drejtuar klsh prokurorisë por është pushuar çështja sepse nuk ka përgjegjësi pasi bëhet fjalë për 9 ditë nga momenti i njoftimit në momentin e asgjësimit. Jemi 46 vende që jemi njoftuar dhe ne një nga ato, kemi arritur brenda 9 ditësh të bëjmë atë që duhet të bëjnë institucionet. Boll përhapët panik dhe boll morët përsipër që cënojnë jetët e njerëzve.
Eduard Shalsi:Një gjë dua ta them z.Spaho se nuk ka nevojë as kryetari i KLSH dhe as institucioni për avokatinë tënde. E dyta janë dy pyetje që kanë trazuar gjënë nga përgjigjet e thjeshta të të cilave, njëra është marrë dhe për tjetrën ende jo, do ishte sqaruar çështja dhe nuk do kishte marrë kaq shumë kohë.
Çfarë tha disa ditë më pare kreu i KLSH-së për akulloret?
Disa ditë më parë kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu zbuloi në Komisionin e Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.
Por çfarë ka ndodhur me akulloret?
Në gusht të vitit 2021 u dha alarmi për një sasi prej 36 ton akullore kancerogjene, të cilat deri vonë tregtoheshin edhe në Shqipëri. Në këto produkte u konstatua prania e oksid etilenit më e lartë se norma e lejuar. Pas alarmit të dhënë nga institucionet e huaja, AKU bëri me dije 11.7 ton akullore ishin shitur dhe konsumuar, ndërsa rreth 20 ton të tjera ndodheshin ende në magazinat e subjekteve importuese dhe janë asgjësuar nga AKU.
Por në 10 nëntor të të njëjtit vit, nga një auditim, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ka depozituart në SPAK një kallëzim për “shpërdorim detyre”. Megjithatë, edhe pse dosja është ende në SPAK, çështja ende nuk është finalizuar nga hetuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Oksid etileni është ndër shtatë përbërësit kryesorë të fshehur në produktet kozmetike që gjendet zakonisht gjendet në aromë dhe shampo. Kjo përbërje dihet të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut. Administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë (OSHA) shpjegon se ekspozimi kronik shoqërohet me formimin e kancerit, efektet riprodhuese, ndryshimet mutagjene, neurotoksicitetin dhe sensibilizimin. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin gjithashtu klasifikon oksidin etilenit si një kancerogjen./ZËRI