Aktualitet

FEIQIAN- Si po i pastrojnë kinezët paratë e pista të bandave kriminale, shqiptarët 'marrin leksione'

"Pastruesit" meksikanë të parave kanë komisione të larta: zakonisht midis 8% dhe 12%, por kinezët kanë oferta shumë më të mira. Thuajse falas.

k.m.
FEIQIAN- Si po i pastrojnë kinezët paratë e pista të bandave
Foto ilustruese

TIRANË- Në ditët e sotme është e rrallë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të bashkëpunojnë. Por gjatë një vizite tre-ditore në Pekin dhe Shangai, e cila fillon më 24 prill, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do t'i bëjë presion mikpritësve që të ndalojnë dërgimin e materialeve për armë në Rusi. Kërcënimi është rritur vitet e fundit, i nxitur nga rrjetet klandestine kineze të pajisura me teknologji të reja që lejojnë pastrimin e parave të pista në pak minuta. Për bandat kriminale transnacionale në mbarë botën, këto "banka" hije po bëhen financues të preferuar. Për t'i dhënë fund, dy fuqitë e mëdha duhet të bisedojnë. 

Në Shtetet e Bashkuara, kërcënimi është kthyre në një çështje jetë a vdekje. Në 12 muajt deri në nëntor 2023, më shumë se 105,000 amerikanë vdiqën nga mbidoza e drogës, kryesisht fentanil dhe opioidë të tjerë sintetikë të kontrabanduar nga Meksika. Bankat klandestine kineze kanë rol vendimtar pasi lejojnë kartelet meksikane të pastrojnë fitimet e tyre shpejt dhe me kosto shumë të ulëta.

Në një artikull të botuar në vitin 2021 nga "American Intelligence Journal", Virginia Kent nga Departamenti i Shtetit, dhe Robert Gay nga Universiteti Kombëtar i Inteligjencës në Maryland folën për një "grusht shteti (pa gjak)", të organizuar nga grupet kineze. Tani ata janë zhvendosur kryesisht në Meksikë.

Qeveria amerikane ka dhënë alarmin. Në "Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut të Pastrimit të Parave" të vitit 2022, Departamenti i Thesarit i SHBA-së theksoi përfshirjen e financimit të paligjshëm kinez, duke deklaruar se kjo metodë po përdorej trafikantët e drogës gjithnjë e më shumë. Raporti i fundit, i botuar në shkurt, deklaroi se organizatat kineze të pastrimit të parave ishin bërë "më popullore" dhe tani ishin kthyer në "lojtarët kryesorë" në pastrimin e parave në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. 

Por ky aktivitet është pikasur edhe nga autoritete të tjera. Në vitin 2019, Europol, agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian deklaroi se pastrimi i parave nga grupet kriminale aziatike, veçanërisht kineze, përfaqësonte një "kërcënim në rritje për Evropën". Bandat konsiderohen "jashtëzakonisht fleksibël" dhe menaxhonin "fitime të konsiderueshme" nga një sërë aktivitetesh kriminale në kontinentin europian dhe jo vetëm.

Ankthi i Kinës është gjithashtu i dukshëm. Edhe vendi aziatik është i shqetësuar për atë që po shkaktojnë bandat duke anashkaluar kontrollet strikte. Psh. kinezët nuk mund të dërgojnë më shumë se 50,000 dollarë në vit jashtë vendit. Për shumë të pasur, kjo shumë nuk është asgjë. Ndaj shpesh i drejtohen financuesve të paligjshëm jo për të pastruar para, por për të lëvizur një pjesë të pasurisë së tyre jashtë vendit. Kjo kërkesë ka të ngjarë të rritet pasi ekonomia kineze po lëkundet. Sipas mediave shtetërore, Kina po përgatit ndryshimet më të mëdha ndonjëherë në legjislaturë kundër pastrimit të parave.

Disa forca po e bëjnë problemin shumë më të vështirë për t'u trajtuar. E para është evolucioni i shpejtë i një kulture bankare informale të bazuar në atë që shpesh njihet si sistemi feiqian (“paratë fluturuese”). Origjina e kësaj metode nuk ka asnjë lidhje me krimin. Filloi si një mënyrë që tregtarët mbaronin punë pa pasur nevojë të transportonin para në distanca të gjata. 

Në Kinë, veçanërisht midis kompanive bregdetare, metoda feiqian po përdoret për të mbyllur shpejt marrëveshjet ndërkombëtare, pa pengesën e bankave burokratike. 

Epidemia e varësisë nga opioidet në Shtetet e Bashkuara i ka dhënë një shtysë të re. Disa nga miliarda dollarë para "cash" të gjeneruara nga kërkesa për drogë u kthehen karteleve meksikane, ka "zgjuar" kërkesën e kësaj metodë. "Pastruesit" meksikanë të parave kanë komisione të larta: zakonisht midis 8% dhe 12%, por kinezët kanë oferta shumë më të mira. Thuajse falas. Kështu që dhe kërkesa e tyre në treg është rritur.

SHEMBULL: Pastruesit kinezë marrin paratë e drogës dhe i shesin për juanë (monedha kineze); feiqian lejon një blerës në Shtetet e Bashkuara të dërgojë ekuivalentin e juanit nga llogaria e tij bankare, në një ose më shumë llogari të kontrolluara në Kinë. Atje mund të përdoret atje për të blerë mallra që dërgohen në Meksikë dhe shiten për pesos që u dërgohen karteleve. Procesi është aq efikas sa që shpërndarja e parave në pesos ndodh pothuajse menjëherë pas marrjes së dollarëve të pista.

Edhe trafikantët evropianë po e ndjekin këtë metodë. Në tetor, policia italiane arrestoi 33 persona për përfshirjen e tyre të dyshuar në pastrimin e më shumë se 50 milionë eurove (53 milionë dollarë) për trafikantët e drogës si 'Ndrangheta' , një bandë mafioze italiane që kontrollon pjesën më të madhe të biznesit të kokainës multi-milionë dollarëshe. Mes të arrestuarve ishin 7 shtetas kinezë. Një oficer italian, i cili mori pjesë në aksion, i tha "Reuters" shuma e parave të pastruara me shumë gjasa ishte më e lartë sesa ajo që arriti të zbulonte Policia. Po atë muaj, policia në Itali dhe Spanjë arrestoi 78 persona duke i akuzuar se ishin pjesë e një rrjeti që merrej me trafikimin e kanabisit. Sipas Europol, rrjeti përbëhej nga njerëz të kombësive të ndryshme, përfshirë shqiptarë dhe marokenë. Pagesat për dërgesat e drogës menaxhoheshin nga "bankierë kinezë"...përmes? METODËS FEIQIAN!

Është e lehtë të kontaktosh me këta ndërmjetësues kinezë. Ofertat për shërbimet e tyre janë të shumta në rrjetet sociale si Facebook dhe "ëeChat". Bankierët e fshehtë (që në internet njihen si "chedui", ose motoçiklistë) përdorin këto platforma interneti për të rekrutuar njerëz si "mushka parash". Ata shpesh synojnë studentët kinezë që studiojnë nëpër Europë dhe jo vetëm që tërhiqen nga fitimet dhe nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e kapjes nga Policia. Në dhjetor, Europol njoftoi se kishte identifikuar pothuajse 11,000 "mushka parash" dhe 500 rekrutues në 26 vende.

Në vitin 2022, policia kineze nisi një fushatë 3-vjeçare kundër pastrimit të parave që ka çuar më shumë se 2,300 njerëz para drejtësisë.

Në një nga rastet, 74 persona nga 17 provinca u arrestuan për pastrimin e pothuajse 16 miliardë juanë (2.1 miliardë dollarë) duke përdorur të njëjtën metodë. Ata dyshohet se kanë lëvizur para përmes më shumë se 1000 llogarive bankare, secila me një lëvizje mesatare ditore prej 3 milionë juanë. Kjo është maja e ajsbergut: sipas Shteteve të Bashkuara, më shumë se 150 miliardë dollarë të ardhura të paligjshme kalojnë nga Kina./ZËRI

Përshtatur në shqip nga "The Economist"

Poll

MOS HUMB